Një zjarr në një stacion satelitor të Starlink në Poloninë qendrore ishte një “akt sabotimi” i qëllimshëm, ka deklaruar një ministër i qeverisë, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Zëvendëskryeministri polak, Krzysztof Gawkowski, tha se zjarri në provincën e Mazovisë ishte “planifikuar qëllimisht për ta nxjerrë stacionin jashtë funksionit… duke ndërprerë qasjen në internet për institucione të ndryshme, përfshirë ushtrinë ukrainase”.
Ai i tha transmetuesit publik polak TVP Info se hetimet janë në vazhdim, por “shumë indikacione sugjerojnë” se sulmi përputhet me një “doktrinë të re ruse të sulmit”. Kremlini nuk ka bërë asnjë koment.
Ndërkohë, shërbimi i inteligjencës së Danimarkës publikoi një vlerësim të ri të kërcënimeve, duke thënë se pret që Rusia ta përshkallëzojë luftën hibride në muajt e ardhshëm.
Ai deklaroi se një sulm mbetet “shumë pak i mundshëm”, por paralajmëroi për një “rrezik të ulët, por në rritje”, që Rusia mund të ndërmarrë një sulm të kufizuar ushtarak kundër vendeve të NATO-s.
Në javët e fundit, disa vende evropiane anëtare të NATO-s kanë thënë se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme për të testuar angazhimin e tyre në mbështetjen e Ukrainës – pretendim që Moska e mohon.
Në fillim të këtij muaji, Gjermania e fajësoi Rusinë për një përpjekje për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle, ndërsa Franca ka urdhëruar hartimin e një plani për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve të industrisë së mbrojtjes.
Lufta hibride ose sulmet hibride janë terma të përgjithshëm që përdoren për të përshkruar metoda joushtarake, të krijuara për të ushtruar presion dhe për të destabilizuar një kundërshtar – siç janë sulmet kibernetike, sabotimi apo dezinformimi.
The post Polonia thotë se zjarri në stacionin e Starlink-ut është sabotim, ndërsa Danimarka paralajmëron për rritjen e kërcënimit rus appeared first on Gazeta Express.

