Takimi është mundësi për të thënë se ShBA-ja dhe Kina po bashkëpunojnë.
Burimi: The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Samiti i së enjtes mes presidentit Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping do të trajtojë një mori çështjesh dhe ndoshta do të japë shpresë se Uashingtoni dhe Kina mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët.
Takimi duhet të trajtojë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore. Parandalimi i konfliktit duhet të jetë objektivi kryesor. ShBA-ja, me të drejtë, nuk mbështet asnjë ndryshim të njëanshëm të status quo-së në Ngushticën e Tajvanit. Kjo është një çështje mes Kinës dhe Tajvanit që duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Deti i Kinës Jugore është një tjetër burim tensioni mes vendeve. Duke pasur parasysh se një e treta e transportit detar global kalon përmes Detit të Kinës Jugore, kjo çështje kërkon vëmendje të menjëhershme – në mënyrë ideale përmes diplomacisë së qetë dhe efektive, për t’u siguruar që ShBA-ja dhe Kina të mos bien në konflikt.
Megjithëse vazhdon çekuilibri tregtar i ShBA-së me Kinën, ai është përmirësuar. Vendet janë të ndërvarura dhe të lidhura përmes tregtisë, zinxhirëve globalë të furnizimit dhe investimeve financiare. Samiti do të mundësojë një diskutim të hapur të këtyre çështjeve, me shpresën e një marrëveshjeje që diplomatët dhe negociatorët tregtarë të takohen rregullisht për t’i diskutuar dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre.
Zgjidhja e konflikteve duhet të jetë lart në listën e temave për diskutim. Agjenda duhet të sigurojë që të mos përsëritet bombardimi amerikan i Ambasadës Kineze në Beograd në vitin 1999, kur ShBA-ja besonte se ambasada ishte një objektiv legjitim ushtarak jugosllav.
Agjenda duhet të trajtojë gjithashtu incidentin me EP-3 të vitit 2001, kur një aeroplan zbulues amerikan, duke fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare, u përplas me një aeroplan kinez, duke vrarë pilotin kinez. Në të dyja rastet, presidenti i ShBA-së nuk ishte në gjendje të kontaktonte homologun e tij në Pekin.
Udhëheqësit duhet të komunikojnë në kohë dhe në mënyrë të sigurt për t’u siguruar që incidentet e tilla të mos përshkallëzohen. Gjithashtu, rëndësi ka një linjë e drejtpërdrejtë telefonike mes udhëheqësve ushtarakë për të shmangur përshkallëzimin dhe konfliktin e mundshëm lidhur me çfarëdo çështjeje që mund të përfshijë ushtrinë.
Pastaj është çështja bërthamore. Gjatë viteve, Kina ka refuzuar ta diskutojë atë me ShBA-në, duke përmendur si arsye dallimin në numrin e armëve bërthamore mes Kinës dhe ShBA-së. Kina po ndërmerr një program ambicioz bërthamor për ta rritur arsenalin e saj të armëve bërthamore, me synimin për të arritur paritet me ShBA-në.
Megjithatë, nëse zvogëlimi i rrezikut bërthamor është synimi, atëherë Kina duhet ta pranojë ftesën e ShBA-së për të diskutuar çështjet që lidhen me armët bërthamore.
Një tjetër çështje që duhet të jetë lart në listën e diskutimeve: inteligjenca artificiale. Kërkojnë vëmendje të menjëhershme raportet e fundit për IA-në që del jashtë kontrollit njerëzor dhe shqetësimet se ajo kërcënon njerëzimin.
Gjithashtu, aktualisht po diskutohet shumë gara e IA-së mes ShBA-së dhe Kinës. Shqetësimi se kush po kryeson e largon vëmendjen nga mënyra se si ShBA-ja dhe Kina mund të bashkëpunojnë për të siguruar që IA-ja t’u përgjigjet urdhrave dhe vlerave njerëzore.
ShBA-ja dhe Kina duhet të punojnë së bashku për të siguruar që teknologjia të mos përdoret për hakime të paautorizuara, krijimin e patogjenëve rezistentë ndaj vaksinave ose nisjen e sulmeve globale kibernetike ndaj infrastrukturës kritike të një vendi.
Të dy vendet duhet të bashkëpunojnë gjithashtu në luftën kundër terrorizmit, kundër përhapjes së armëve, kundër narkotikëve dhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Kina ka bashkëpunuar me SHBA-në për disa çështje të shëndetit publik, si SARS-i dhe gripi i shpendëve. Shkatërrimi i shkaktuar nga Kovidi-19 ishte një kambanë alarmi për të dy vendet tona që të punojnë së bashku për pandemitë.
Në vitin 2002, sekretari i Shtetit, Colin L. Powell, i kërkoi Kinës të ndihmonte në denuklearizimin e Koresë së Veriut. Vitin pasues, Kina priti bisedimet gjashtëpalëshe, të kryesuara nga zëvendësministri i Jashtëm, Wang Yi. Një deklaratë e përbashkët e 19 shtatorit 2005 e angazhoi Korenë e Veriut të hiqte dorë – në mënyrë të verifikueshme – nga të gjitha armët bërthamore dhe programet ekzistuese bërthamore.
Kina duhet ta inkurajojë Korenë e Veriut të takohet me z. Trump dhe të rifillojë negociatat me ShBA-në.
Takimi i së enjtes është një mundësi për t’i përcjellë botës mesazhin se ShBA-ja dhe Kina po punojnë së bashku për të parandaluar dhe përfunduar luftërat dhe konfliktet, ndërkohë që bashkëpunojnë për çështje transnacionale për të mirën më të madhe të të gjithëve. /Telegrafi/

