Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në tre-vjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë, duke e cilësuar atë si sulmin më të madh terrorist në Kosovën e pasluftës.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se sulmi ishte i organizuar dhe, sipas tij, i mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.
“Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se në atë ditë, në krye të detyrës, u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duke vlerësuar sakrificën e tij dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës.
“Sot, në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar ministri.
Sipas Sveçlës, institucionet e Kosovës arritën të mbrojnë territorin dhe rendin kushtetues përballë sulmit.
Ndërkaq, duke folur për procesin e drejtësisë, ministri ka deklaruar se ai mbetet i papërfunduar deri në arrestimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë personave që, sipas tij, ishin të përfshirë në sulm. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe Milan Radoiçiqin.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka deklaruar Sveçla.
Në fund të mesazhit të tij, ministri ka thënë se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet vazhdimisht, ndërsa sakrifica e tij do të mbetet pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës.
“Heroin Afrim Bunjaku do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë. Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/
