Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka përkujtuar policin e vrarë Afrim Bunjaku, në trevjetorin e sulmit në Banjskë, duke kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë.
Përmes një deklarate, Ambasada britanike tha se kujton Bunjakun, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023.
“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij”, thuhet në deklaratë.
Ambasada britanike vlerësoi gjithashtu guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës në reagimin ndaj sulmit dhe rivendosjen e sigurisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për ndjekjen e përgjegjësve.
“Llogaridhënia mbetet thelbësore. Përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë”, thuhet më tej në deklartë.
Ambasada i ka bërë sërish thirrje autoriteteve të Serbisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës “pa vonesa të mëtejshme”.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe duke plagosur zyrtarë të tjerë. Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht se kishte organizuar sulmin, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës e ka përfshirë atë në aktakuzën për rastin.
The post Ambasada britanike kërkon që Beogradi t’i mbajë përgjegjës pa vonesa Radoiçiqin dhe tjerët për sulmin tragjik në Banjskë appeared first on Gazeta Express.

