Gjykata Kushtetuese ka publikuar të mërkurën aktgjykimin lidhur me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, të përcaktuar me nenin 66 të Kushtetutës.
Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se kalimi i këtij afati ka pasoja në nisjen e afateve të tjera kushtetuese, përfshirë afatin për zgjedhjen e presidentit kur posti është vakant dhe afatet për formimin e Qeverisë.
Sipas vendimit, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026. Kjo do të thotë se Kuvendi duhet ta përfundojë procesin e zgjedhjes së presidentit deri në këtë datë.
Kushtetuesja ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në këtë rast PDK-së, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës.
Në anën tjetër, Gjykata ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës. Pra, formimi i Qeverisë “Kurti 4” është konsideruar kushtetues.
Kushtetuesja ka refuzuar edhe kërkesën për masë të përkohshme të parashtruar në kuadër të kësaj çështjeje.
Vendimi erdhi pas dy kërkesave të PDK-së, e cila kishte kontestuar mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe më pas zgjedhjen e Qeverisë.
Kuvendi ishte konstituuar më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës. Deputetët e Vetëvendosjes, LDK-së dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin, por në atë seancë nuk u zgjodh nënkryetari që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Më vonë, po atë ditë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Me aktgjykimin e publikuar dje, Kushtetuesja ka përcaktuar kështu tri çështje kryesore: konstituimi i Kuvendit ka ndodhur pas afatit 30-ditor, duhet të plotësohet kryesia me nënkryetarin nga PDK-ja dhe afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, ndërsa zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator është në përputhje me Kushtetutën.
The post Çka vendosi dje Kushtetuesja për Kuvendin, Qeverinë dhe presidentin appeared first on Gazeta Express.

