Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në Kosovë është mbajtur Punëtoria Vjetore M2M, e cila, sipas tij, ka trajtuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka përmendur edhe rolin e Gardës Kombëtare të Iowa-s në këtë partneritet.
“Punëtoria Vjetore M2M në Kosovë rikonfirmoi fuqinë e partneritetit tonë në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e rëndësishëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka thënë se gjatë bashkëpunimit synohet zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rritja e ndërveprueshmërisë me partnerët.
“Së bashku, po ndërtojmë një Forcë më të aftë, profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se fokusi i bashkëpunimit është zbatimi i planeve të përbashkëta dhe avancimi i mëtejshëm i partneritetit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes.

