Eugen Cakolli, ka reaguar lidhur me zhvillimet në vend, një pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, duke shtruar pyetjen se ‘‘si do të dukej jeta jonë sot sikur, para gati tridhjetë vjetësh, njerëzit që e themeluan UÇK-në ta kishin zgjedhë secili rrugën më të sigurt për veten dhe familjet e tyre?’’.
Tutje, Cakolli shton se, kur liria zgjat mjaftueshëm, fillon me të u dukë si gjendje natyrore. Harrohet sa e largët ka qenë veç një gjeneratë më herët dhe sa e pabesueshme mund t’u jetë dukë njerëzve ideja se një ushtri e vogël, e nisur prej njerëzve me shumë pak përballë një shteti shumë më të fuqishëm, mund ta çonte Kosovën deri te pika ku jemi sot.
‘’ Para se kjo liri të bëhej rutinë e jona, dikush është dashtë me e marrë seriozisht, me besu në të dhe me luftu për të atëherë kur ende dukej pothuajse e pamundur’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Një javë prej aktgjykimit në Hagë, përtej debatit për dënimet, drejtësinë, politikën dhe atë që do të ndodhë më tutje, është një pyetje që besoj sqaron një pjesë të mirë të sentimentit që është krijuar. A thua, si do të dukej jeta jonë sot sikur, para gati tridhjetë vjetësh, njerëzit që e themeluan UÇK-në ta kishin zgjedhë secili rrugën më të sigurt për veten dhe familjet e tyre?
Sikur njëri ta kishte vazhdu fakultetin, tjetri ta kishte mbajtë punën, dikush të kishte ikë në Gjermani apo Zvicër, dikush të kishte vendosë se i kishte fëmijët e vegjël dhe shumëçka për të humbur, ndërsa të tjerët të kishin pritë edhe pak, me shpresën se bota do ta zgjidhte Kosovën ose se Serbia një ditë do të ndryshonte vetvetiu. Çka sikur të gjithë të kalkulonin ngushtë siç, me shumë gjasë, shumica do ta bënte sot?
Mbase atëherë pyetja kryesore s’do të ishte çka do të shkruhej sot në librat e historisë apo të gjeografisë, por ku do të ishim ne vetë. Në cilin shtet do të zgjoheshim çdo mëngjes, në çfarë gjuhe do të shkonin fëmijët tanë në shkollë, çfarë pasaporte do ta mbanim në xhep, cilat institucione do t’i kishim për t’i kritiku, për cilat zgjedhje do të përplaseshim politikisht dhe a do ta kishim këtë luksin kaq të zakonshëm sot, që Kosovën shtet me e marrë si diçka të kryer e pastaj me ia numëru përditë dështimet e të metat.
Sepse liria, kur zgjat mjaftueshëm, fillon me të u dukë si gjendje natyrore. Harrohet sa e largët ka qenë veç një gjeneratë më herët dhe sa e pabesueshme mund t’u jetë dukë njerëzve ideja se një ushtri e vogël, e nisur prej njerëzve me shumë pak përballë një shteti shumë më të fuqishëm, mund ta çonte Kosovën deri te pika ku jemi sot. Para se kjo liri të bëhej rutinë e jona, dikush është dashtë me e marrë seriozisht, me besu në të dhe me luftu për të atëherë kur ende dukej pothuajse e pamundur.
Mbase kjo është edhe arsyeja pse kjo javë ka prekë kaq shumë njerëz dhe e ka zgjuar këtë emocion që po e përjetojmë përditë. Një aktgjykim që, sipas mënyrës se si u lexua, tentoi me i goditë ata që e krijuan dhe udhëhoqën UÇK-në, në mënyrë paradoksale, prodhoi një efekt krejt tjetër në Kosovë. Në vend se ta zbehte afërsinë me UÇK-në për shkak të akuzave për krime ndaj civilëve dhe kundërshtarëve politikë, e nxori përsëri në sipërfaqe një pyetje që për vite kishte mbetë diku nën gjithë zhurmën e politikës ditore. Çka ka qenë në të vërtetë UÇK-ja për ne dhe sa prej jetës që bëjmë sot do të ekzistonte pa guximin e atyre që e formuan dhe të mijëra burrave e grave që luftuan nën emrin e saj?
Dhe mbase pikërisht për këtë, edhe emblema e UÇK-së po duket ndryshe këto ditë. E sheh në bluza, në kapela e në vetura, te njerëz që deri dje s’e kishin mendu veten duke e mbajtë në publik. I dëgjon kangët patriotike që kumbojnë gjithandej në sheshe, lokale e vetura, ndonëse për vite të tëra ato ishin dëgjuar kryesisht në përvjetorë.
Kjo pjesë është më interesante se vetë simbolika, sepse tregon se për shumë njerëz, sidomos për rininë e Kosovës, UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull i së kaluarës, por është vetë kuptimi dhe emri i lirisë që gëzojmë sot. Për mbi 20 vjet, debati publik për UÇK-në është zhvilluar kryesisht përmes asaj që ndodhi pas luftës, përmes partive, pushtetit, përplasjeve politike, akuzave, gjykatave dhe krejt zhgënjimeve që një shtet i ri i din me prodhu shpejt. Dalëngadalë, e shpesh pa e vërejtë fare, debati për njerëzit që dolën prej luftës e zuri vendin e debatit për vetë luftën dhe kuptimin e saj.
Këto ditë po ndodh e kundërta. Përtej fatit individual të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, shumë njerëz po kthehen te vetë ideja fillestare që ata dhe shumë të tjerë përfaqësuan atëherë, në kohën kur liria ende ishte ideal dhe njerëzit ishin të gatshëm me dhanë jetën që ajo të bëhej realitet. Kur e sheh prej kësaj perspektive, kuptohet edhe pse emblema e UÇK-së është sot kaq e pranishme. Ajo ta kujton një vendim që dikur e morën disa njerëz, me luftu atëherë kur rezultati ishte krejt i pasigurt dhe çmimi mund të ishte gjithçka.
Prandaj, një javë pas vendimit në Hagë dhe pas shumë vitesh debatesh se kujt i takon UÇK-ja, përgjigjen po e japin qytetarët me atë se çfarë po ndodhë në Kosovë. Para se të jetë e kujtdo, UÇK-ja, duke na e bërë dritë lirinë që e gëzojmë sot, është e të gjithëve. E historia e saj nuk mund të jetë e ndarë nga ata që e themeluan dhe e udhëhoqën atë.
The post Cakolli: Si do të ishte jeta jonë nëse themeluesit e UÇK do e zgjidhnin rrugën më të sigurt për ta para 30 vitesh appeared first on Gazeta Express.

