Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, është vetëdorëzuar në policinë kufitare në Morinë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi sot për Hysenin urdhër arresti e akuzuar për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
SPAK ka caktuar për Hysenin masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ajo fillimisht është ndaluar nga Policia e Kosovës për t’iu dorëzuar më pas autoriteteve shqiptare, të cilët e kanë shoqëruar për në banesë me qëllim ekzekutimin e vendimit. Teksa lajmi u bë publik sot, Vlora Hyseni ndodhej për konferencë në Baku të Azerbajxhanit.
Vlora Hyseni dyshohet se ka ndihmuar nga arratia me informacionet sekrete shtetërore biznesmenin Ergys Agasi. Ky i fundit u arrestua më 26 gusht i dyshuar si kreu një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.
Rasti i Hysenit mund të konsiderohet si një prej skandaleve më të rënda që kanë prekur sigurinë kombëtare. Vetë SPAK e thekson se drejtoresha e SHISH ka shërbyer në ndihmë të krimit të organizuar.
Hyseni gjithashtu është pezulluar dhe nga detyra ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi nga New York duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm, i cili do të zyrtarizohet me dekret të presidentit të Republikës. /Klan
The post Raportohet se Vlora Hyseni fillimisht u ndalua nga Policia e Kosovës pastaj iu dorëzua Policisë së Shqipërisë appeared first on Gazeta Express.

