Shtrirja e rekrutimit të detyrueshëm te shtresat e mesme të Moskës dhe Shën Petersburgut mund të shkaktojë pasoja politike për Kremlinin.
Burimi: The Telegraph (titulli: It’s confirmed. Putin has a manpower problem and only one risky way out of it)
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa gjendja e Rusisë bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka dhënë një vlerësim domethënës: Rusisë mund t’i shterojnë në mënyrë efektive burimet e nevojshme për ta vazhduar luftën deri në vitin 2028.
Duke folur pas rimarrjes së fundit nga Ukraina të rajonit të Limanit në Donbasin lindor, Oleh Ivashchenko tha se Moska kishte burime të mjaftueshme ushtarake dhe ekonomike për afërsisht edhe një vit, por, sipas mendimit të tij, ato do të shteronin deri në vitin 2028.
Shifrat që qëndrojnë pas këtij vlerësimi janë të zymta. Rusia thuhet se po rekruton çdo ditë nga 1 000 deri në 1 200 burra për angazhimet e luftës. Megjithatë, inteligjenca ukrainase vlerëson se humbjet ruse në front i kalojnë 1 400 pjesëtarë të personelit në ditë – rreth 60 përqind e tyre të vrarë. Ky nuk është një model i qëndrueshëm lufte.
Në të vërtetë, kjo e bën mundësinë e një mobilizimi tjetër rus shumë më tepër sesa thjesht spekulim të kotë. Vladimir Putini ka treguar tashmë se është i gatshëm të sakrifikojë një numër jashtëzakonisht të madh ushtarësh rusë për të vazhduar ofensivën e tij. Por, ekziston një kufi politik se sa gjatë mund të vazhdojë ta bëjë këtë pa mobilizuar bijtë e shtresave të mesme dhe të elitës së Rusisë. Pikërisht aty rreziku për Kremlinin bëhet akut.
Edhe disa pjesë të medias ruse, një pjesë e madhe e së cilës ose kontrollohet nga shteti – ose vepron brenda kufijve politikë shumë të ngushtë – po e pranojnë gjithnjë e më shumë se sa i papëlqyer është bërë “operacioni special ushtarak” i Putinit që supozohej të zgjaste tre ditë.
Nëse mobilizimi arrin në Moskë dhe Shën Petersburg dhe familjet që deri tani kanë qenë të izoluara nga lufta papritur shohin bijtë e tyre duke u dërguar në Donbas, pasojat politike për Putinin mund të vijnë shumë më herët se në vitin 2028.
Beteja për Limanin tregon gjithashtu diçka të rëndësishme nga pikëpamja strategjike. Ukraina ka treguar se çfarë mund të arrihet kur manovra e armëve të kombinuara integrohet siç duhet: tanket, këmbësoria, artileria, dronët dhe fuqia ajrore që veprojnë së bashku – në vend që të funksionojnë si kapacitete të ndara.
Ukraina thuhet se ka rimarrë më shumë se 75 milje katrorë territor në Donbas – lëvizja e parë e rëndësishme e vijës së frontit në dy vjet. Por, ka një rezervë të rëndësishme. Këto operacione nuk ndodhin brenda natës. Ushtria ukrainase do të ketë kaluar muaj të tërë duke u përgatitur, stërvitur dhe bërë prova përpara se të nisë një kundërofensivë të madhe.
Përkundrazi, Rusia duket se po bën gjithnjë e më shumë të kundërtën. Rekrutët e saj të detyrueshëm marrin trajnim të kufizuar përpara se të dërgohen në front, ndërsa ushtarët e rekrutuar rishtazi po përdoren për të mbushur boshllëqet në vijën ruse. Kostoja njerëzore është tronditëse.
Në disa sektorë, ushtarët mund të dërgohen në luftime me një jetëgjatësi të pritshme që matet me ditë dhe jo me javë. Mbi këtë bazë nuk mund të ndërtohet një ushtri e suksesshme moderne. Nëse Rusia nuk arrin ta ndryshojë rrënjësisht këtë raport, duke ulur shkallën e humbjeve të saj dhe njëkohësisht duke rritur cilësinë dhe numrin e rekrutëve, vlerësimi i Ivashchenkos fillon të duket më pak si optimizëm dhe më shumë si aritmetikë.
Strategjia tjetër e dukshme e Putinit mbetet po aq e zymtë: t’u shkaktojë civilëve ukrainas vuajtje të mjaftueshme, në mënyrë që Kievi dhe populli ukrainas përfundimisht të kapitullojnë. Është e njëjta logjikë brutale që kemi parë Rusinë duke e përdorë edhe gjetkë, përfshirë përmes mbështetjes së saj për Bashar al-Assadin në Siri.
Por, në fund, bombardimet terrorizuese nuk e shpëtuan Assadin. Ato e forcuan rezistencën ndaj regjimit të tij dhe ndihmuan në largimin e tij nga pushteti. Putini duhet të jetë i kujdesshëm me mësimet që nxjerr nga historia. Ka pak gjasa që ai të tërhiqet në një shtëpi luksoze, siç ka bërë Assadi.
Është interesant vlerësimi i Ivashchenkos, nëse merret si i veçantë, por vështirë se e ndryshon rrjedhën e luftës. Megjithatë, i marrë së bashku me përparimet e fundit të Ukrainës në fushën e betejës, aftësitë e saj gjithnjë e më të sofistikuara me dronë, mbështetjen teknologjike nga aleatë të papritur si Mbretëria e Bashkuar dhe aftësinë e saj në rritje për të zhvilluar operacione të mirëfillta me armë të kombinuara, tabloja strategjike bëhet dukshëm më interesante.
Rusia nuk është patjetër në prag të kolapsit. Por, aftësia e saj për ta vazhduar këtë luftë pafundësisht nuk duhet të merret më si e mirëqenë.
Prandaj, pyetja vendimtare është se çfarë do të bëjnë më tej aleatët e Ukrainës.
Nëse Shtetet e Bashkuara – mbi të gjitha Donald Trumpi – dhe Evropa e pranojnë se Rusia mund të ketë një dritare të kufizuar ushtarake, ata kanë një mundësi për ta ndihmuar Ukrainën ta shfrytëzojë atë. Objektivi nuk duhet të jetë një luftë e pafundme. Duhet të jetë vendosja e Ukrainës në pozicionin më të fortë të mundshëm për të negociuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Rezultati më i keq do të ishte që Putini të lejohej të mbijetonte thjesht sepse Perëndimi e humb guximin përpara se Rusia të mbetet pa rrugëdalje. /Telegrafi/

