Pas atentatit të dështuar me dron ndaj aeroportit Leipzig/Halle, po dalin gjithnjë e më shumë detaje në dritë. Sipas mediave, hetimet të çojnë drejtpërdrejt te shërbimi sekret ushtarak rus, GRU.
Pas atentatit të dështuar me dron ndaj aeroportit Leipzig/Halle duket se hetimet gjejnë përfshirje të drejtpërdrejtë të shërbimi sekret ushtarak rus GRU: një punonjës i dyshuar i GRU-së thuhet se ka pasur rolin e organizatorit logjistik të operacionit. Sipas gazetës Welt am Sonntag, e cila i referohet dokumenteve sekrete të hetimit, në dosje përmendet një person i dyshuar i lidhur me GRU-në si përgjegjës për logjistikën e operacionit.
Bëhet fjalë për një shtetas rus, raportoi gazeta duke cituar burime të sigurisë. Sipas këtyre burimeve, ai ka organizuar përgatitjet e sulmit. Personi në fjalë thuhet se ka hyrë në Gjermani përmes Turqisë dhe më pas është larguar drejt Serbisë nga aeroporti Berlin Brandenburg. Sipas raportit hetimor, autoritetet gjermane kishin dijeni për lidhjet e tij të dyshuara me shërbimin sekret rus që në momentin e hyrjes në vend. Megjithatë, ai nuk u vendos nën vëzhgim nga autoritetet. Ndërkohë, burri thuhet se është kthyer sërish në Rusi. Nga ana tjetër, qeveria në Moskë i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat dhe çdo përfshirje të mundshme në këtë rast.
Lëndët shpërthyese dhe teknologjia e ndezjes sinjale vendimtare
Mbrëmjen e 4 gushtit, në aeroportin Leipzig/Halle u zbulua dhe u çaktivizua një dron i ngarkuar me lëndë shpërthyese pranë një avioni transportues ukrainas të tipit Antonov. Sipas qeverisë federale gjermane, gjurmët që çuan te të dyshuarit lidhen, ndër të tjera, me konfigurimin e dronit, llojin e eksplozivit të përdorur dhe teknologjinë e ndezjes. Këto elemente, sipas autoriteteve, janë njohur edhe nga operacione të tjera hibride të atribuuara Rusisë.
Në fillim të shtatorit, qeveria gjermane e bëri zyrtarisht përgjegjëse Rusinë për incidentin. Si reagim, ajo vendosi, ndër të tjera, mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme ruse në Bon. Moska iu kundërpërgjigj kësaj mase duke mbyllur konsullatën gjermane si edhe disa degë të Institutit Goethe në Rusi. /DW
The post DW: Pas atentatit të dështuar me dron ndaj aeroportit Leipzig, Gjurmët të çojnë drejt shërbimit sekret rus appeared first on Gazeta Express.

