Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas moskonstituimit të Kuvendit, duke thënë se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.
Bajrami ka bërë të ditur se, sipas saj, një nga punët e para në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.
“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar ashpër pushtetin, duke pretenduar se një “mashtrues” ka ardhur në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar dhe se po e dëmton shtetin.
“Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami. /Zëri

