Sipërmarrësi shqiptar nga Kosova, Luan Sallahi, ka blerë hotelin dhe restorantin historik Engel në Wädenswil të Zvicrës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij të biznesit.
Sallahi ishte larguar nga Kosova në vitin 1992 dhe ishte vendosur në Zvicër si refugjat. Rrugëtimin profesional në pjesën gjermanishtfolëse të vendit e kishte nisur si larës pjatash në një restorant në Rüschlikon.
Sot, ai është pronar i disa bizneseve dhe, pas blerjes së restorantit të njohur Johanniter në Cyrih, ka zgjeruar investimet edhe me Hotel Engel, një objekt me histori disa shekullore.
Dy pronarët aktualë të Hotel Engel AG, Peter Kleb dhe Andreas Geiger, kanë konfirmuar shitjen e kompanisë te Sallahi.
Ata kishin nisur kërkimin për një blerës rreth një vit e gjysmë më parë, por kishin refuzuar edhe oferta të tjera fitimprurëse, pasi për ta ishte e rëndësishme që objekti të vazhdonte të funksiononte si hotel dhe restorant.
“Për ne ishte e rëndësishme që Engel të vazhdonte të mbetej një vendtakim i dashur”, ka thënë Kleb.

Sallahi: Është bukur të marrësh përsipër diçka historike
Pronari i ri ka thënë se është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe trashëgiminë e objektit.
“Është bukur të kesh mundësinë të marrësh përsipër diçka historike”, ka thënë Sallahi.
Ai ka bërë të ditur se hoteli dhe restoranti do të vazhdojnë të funksionojnë si deri më tani, ndërsa synon të vazhdojë bashkëpunimin edhe me ekipin ekzistues.
Megjithatë, Sallahi nuk do ta marrë vetë menaxhimin e përditshëm të hotelit.
Sipas tij, tashmë është gjetur personi që do ta drejtojë biznesin, ndërsa kontrata pritet të nënshkruhet në javët e ardhshme.
Hotel Engel përfshin hotelin me dhjetë dhoma, restorantin dhe barin në Engelstrasse 2, si dhe hapësira të tjera gastronomike në Wädenswil.
Objekti historik përmendet në dokumente që nga mesi i shekullit XVII.
Nga refugjat nga Kosova në sipërmarrës në Zvicër
43-vjeçari Luan Sallahi është me prejardhje shqiptare nga Kosova.
Pasi ishte larguar nga Kosova në vitin 1992, ai ishte vendosur në Zvicër dhe ishte rritur në Monthey, në kantonin Valais.
Rreth dy dekada më parë, Sallahi kishte nisur punën në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës.
“Kam qenë larës pjatash në restorantin Tracht në Rüschlikon”, ka treguar ai.
Pas disa viteve pune, Sallahi kishte vendosur të hynte në sipërmarrje.
Fillimisht kishte themeluar një kompani për ndërmjetësimin dhe rekrutimin e stafit, ndërsa më vonë edhe një kompani Spitex për ofrimin e kujdesit shëndetësor në shtëpi.
Më pas kishte hyrë edhe në sektorin e gastronomisë, duke blerë restorantin mbi 100-vjeçar Johanniter në Niederdorf të Cyrihut.
“Kam ecur përpara me shumë punë dhe fat dhe në momentet e duhura kam pasur mundësitë e duhura”, ka thënë Sallahi.
Ai ka theksuar se këtë rrugëtim nuk e ka bërë i vetëm.
“Gjithmonë kam mundur të mbështetem te një rreth i fortë njerëzish dhe te partnerë të mirë biznesi”, ka deklaruar ai.
Sipas Sallahit, fitimet e realizuara i ka riinvestuar vazhdimisht në bizneset e tij.
Megjithatë, ai thotë se qëllimi i tij nuk është vetëm rritja dhe fitimi.
Sallahi synon të kontribuojë në rajonin ku vepron, të trajnojë të rinj dhe të ndajë me ta njohuritë dhe përvojën e tij.
“Kam ardhur në Zvicër si refugjat dhe dua t’i kthej diçka këtij vendi”, ka thënë ai.
Luan Sallahi pritet të marrë në administrim Hotel Engel nga janari i vitit 2027.
Deri në fund të këtij viti, hoteli dhe restoranti do të vazhdojnë të drejtohen nga pronarët aktualë së bashku me menaxherin shumëvjeçar Ilidio Ramires, i cili do të largohet pas 19 vjetësh të angazhimit të tij në Engel./Telegrafi/

