Në seancën e së mërkurës u zgjodh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por procesi i konstituimit të Kuvendit ngeci në pikën tjetër të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së nënkryetarëve.
Procesi u ndal te zgjedhja e nënkryetarëve pasi deputeti nga radhët e Listës serbe, propozoi kandidatin për nënkryetar duke e nisur me fjalinë “në emër të popullit serb”.
Pas kësaj deklarate, kryetarja Haxhiu ndërpreu seancën, duke thënë se fjalimi është antikushtetues.
Edhe pas pauzës, në tentativën e dytë, Simiq nuk tërhoqi fjalën, gjersa tha sërish se është pjesëtar i popullit serb. Pas kësaj, kryetarja ndërpreu punimet e seancës.
Haxhiu po ashtu në seancën e kaluar kishte deklaruar se nuk ka pajtim as ndërmjet LVV, PDK e LDK-së për mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve.
11/09/2026 10:59- Zemaj: Logjika e LVV-së për ta nënshtruar LDK-në nuk kalon
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se logjika e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për ta nënshtruar LDK-në nuk kalon.
Ai këtë deklaratë e tha sot para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ku priten të votohen nënkryetarët e saj.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 17:20- Hoti dhe Bajrami pas zhvillimeve në Kuvend: E bënë edhe më të qartë pse i thamë “JO” propozimit për president
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ato kanë dëshmuar arsyen pse gjashtë deputetë të kësaj partie kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për president.
Hoti tha se Kosova nuk mund të vendoset, siç u shpreh ai, “nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm”.
“Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës e bënë edhe më të qartë pse ne, gjashtë deputetët e LDK-së, i kemi thënë ‘JO’ propozimit të VV-së për President”, ka shkruar Hoti.
“Republika e Kosovës nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm, që nuk ka asnjë ndjeshmëri për sakrificën e brezave mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë”, ka shtuar ai.
Ndaj zhvillimeve në Kuvend ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka akuzuar përfaqësuesit e LVV-së për standarde të dyfishta në raport me votimin e drejtuesve të institucioneve.
Bajrami ka kërkuar që përfaqësuesit e LVV-së të pyeten për qëndrimet që kishin mbajtur gjatë kohës sa ishin në opozitë.
“Pyetni eksponentët e LVV-së, kur kanë qenë në opozitë: A kanë votuar ndonjëherë për kryetar të Kuvendit? Me votat e kujt janë zgjedhur Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca nënkryetarë të Kuvendit? A kanë votuar ndonjëherë për President të Kosovës, duke qenë vetë në opozitë?”, ka shkruar Bajrami.
Në fund të reagimit të saj, ajo i ka quajtur “hipokritë” përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
09/09/2026 15:45- Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nuk merr pjesë në seancën e së premtes
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se për momentin rruga e vetme që i mbetet opozitës është t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Gjini tha se Aleanca do të synojë që këtë hap ta ndërmarrë në koordinim me dy partitë e tjera opozitare.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 15:01- Kurti për deklaratën e Simiqit: Mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të.
Kurti tha se për përmbylljen me sukses të këtij procesi nevojitet dakordim mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe gjatë seancës, Kurti tha se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin që deputeti kishte bërë.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 15:01- Dështimi i konstituimit të Kuvendit, Gjini: Skenar i planifikuar nga Kurti dhe Lista Serbe
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një skenar të parapërgatitur për zvarritjen e proceseve politike në vend.
Gjini tha se Aleanca kishte paralajmëruar prej kohësh se Kuvendi nuk do të arrinte të konstituohej, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për koordinim me Listën Serbe.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 14:44- “Loja e ndytë e VV-së” – reagojnë ashpër deputetët e LDK-së që ishin kundër marrëveshjes për presidentin
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishin kundërshtuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit kanë reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të vazhdojë të premten.
Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar LVV-në për zvarritje të procesit, duke thënë se kjo situatë ishte e pritshme.
Reagim ka pasur edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se “dita e përgjegjësisë” do të vijë.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 14:26- Hamza pas dështimit të seancës: LVV dhe Lista Serbe po i bëjnë dëm Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, ka akuzuar subjektet politike për thellimin e vakuumit institucional, duke thënë se veprimet e tyre janë në dëm të shtetit dhe qytetarëve,
Hamza tha se PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj politik dhe se ka kërkuar që të respektohet Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe vendimi i Gjykatës Supreme.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 14:25- Ilir Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse
Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar për situatën politike në Kosovë, duke paralajmëruar për rrezikun e, siç e quan ai, dështimit politik dhe institucional të shtetit.
Deda ka thënë se Kosova ende nuk është shndërruar në shtet të dështuar, por sipas tij, po i afrohet kësaj pike me shpejtësi.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 14:16- “Nuk do ta rishkruani historinë”, Musliu akuzon Kurtin për bashkëpunim me Listën Serbe
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se është në koordinim me Listën Serbe për të mos lejuar konstituimin e Kuvendit para 16 shtatorit.
Përmes një postimi, Musliu ka thënë se Kurti dhe Lista Serbe nuk duan që Kosova të ketë Kuvend të konstituuar para kësaj date.
“Albin Kurti në koordinim të plotë me Listën Serbe nuk duan të kemi Kuvend para datës 16 shtator”, ka shkruar Musliu.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 14:05-Nagavci: Deklarata e Simiqit është e papranueshme, duhet të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet presidenti
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci ka deklaruar se situata e krijuar në seancën e Kuvendit lidhet me dy çështje kryesore: kushtetutshmërinë e një deklarate të bërë nga deputeti Slavko Simiq dhe mospajtueshmërinë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Nagavci tha se seanca ishte thirrur për të premten në orën 11:00 për trajtimin e këtyre dy çështjeve.
Artikullin e plotë e keni këtu
09/09/2026 13:46- Gruda: PDK pro çdo forme të votimit për nënkryetarë, nuk mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha sot pas përfundimit të punimeve të seancës konstituive se partia që ka fituar zgjedhjet ishte në Kuvend për një lojë politike të radhës.
Gruda tha se PDK voton nënkryetarët e Kuvendit në çfarëdo forme, nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit, pasi sipas tij, vendi nuk mund të mos ketë Kuvend të konstituar para 16 shtatorit, ditës kur do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 13:36- Lushaku-Sadriu: Situatë e paprecedentë, LVV po harron se jemi jashtë afateve kushtetuese
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit për të premten.
Ajo e ka cilësuar si “situatë të paprecedentë” mosvazhdimin e procedurës për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, duke akuzuar grupin më të madh parlamentar për mungesë të mbështetjes ndaj propozimeve të partive të tjera.
Lajmi i plotë KËTU
09/09/2026 13:27- Nuk ka pajtim për zgjedhjen e nënkryetarëve, seanca vazhdon të premten
Pas një diskutimi mes kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiut dhe deputetit të Listës Serbe, Igor Simiqit që ky i fundit të tërheq fjalën, u mbyllën punimet e seancës së sotme.
Haxhiu kërkoi që Simiq të tërheq fjalimin e tij antikushtetues, por ai një gjë të tillë nuk e bëri, duke thënë se është e drejtë e tij.
Ajo tutje tha se nuk ka pajtim as ndërmjet LVV, PDK, e LDK për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.
Vazhdimi i seancës u thirr për të premten, më 11 shtator në ora 11:00
09/09/2026 13:18- Rifillon seanca konstituive
Pas pauzës rreth një orëshe ka rifilluar seanca konstituive.
Tashmë pikë e rendit të ditës është zgjedhje e nënkryetarëve.
09/09/2026 12:21- Simiq propozoi nënkryetarin “në emër të popullit serb” – reagon Konushevci: Duhet të sanksionohet
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arton Konushevci, ka reaguar pas pauzës 30-minutëshe të seancës së Kuvendit, duke thënë se arsyeja lidhet me një propozim të deputetit serb, Igor Simiq.
Sipas tij, Simiq ka propozuar nënkryetarin e Kuvendit në emër të komunitetit serb, veprim të cilin Konushevci e ka cilësuar si shkelje të qëllimshme.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 11:52- Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit, Haxhiu: Nuk kishte pajtim për mënyrën e votimit, pauzë 30-minutëshe
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se subjektet politike nuk kanë arritur pajtim lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit.
Haxhiu tha se janë paraqitur propozime që kandidatët të votohen në formë të paketës, ndërsa për këtë arsye u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që të zhvillojnë konsultime të mëtejshme.
“Nuk kishte pajtim ndërmjet subjekteve politike për formën e votimit. Ka propozime që të shkojnë në paketë të gjithë, prandaj i ftoj grupet parlamentare në zyrën time dhe shkojmë në pauzë për 30 minuta”, tha Haxhiu.
Ajo kërkoi gjithashtu nga administrata e Kuvendit që të shqyrtojë formën e propozuar nga Lista Serbe, për të vlerësuar nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën.
“Prandaj kërkoj administratën e Kuvendit ta formësojë propozimin e Listës Serbe, nëse është në linjë me Kushtetutën. Nëse nuk është në linjë, shkojmë me Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.
09/09/2026 11:36- Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu mori 62 vota për dhe 16 vota kundër dhe 13 abstenuan.
Në seancë të pranishëm në momentin e votimit ishin 102 deputetë, kurse 18 mungonin.
09/09/2026 11:33- LVV propozon për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun
09/09/2026 11:31- Nis seanca konstituive
Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm në seancë janë 103 deputetë, 17 mungojnë.
Kryesuesi Avni Dehari tha se ka kuorum të mjaftueshëm që seanca të vazhdojë.
09/09/2026 11:12- Kurti: Marrëveshja politike nuk mjafton, na duhen edhe numrat për zgjedhjen e presidentit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja politike nuk është e mjaftueshme për të shmangur zgjedhjet e reja, duke theksuar se për zgjedhjen e presidentit nevojiten edhe numrat e mjaftueshëm në Kuvend.
Kurti këtë deklaratë e bëri të ditur para seancës konstituive ku tha se është duke shkuar te Grupi Parlamentar i subjektit të tij.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 10:47- Abdixhiku arrin në Kuvend, nuk deklarohet për media
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka arritur në Kuvendin e Kosovës para fillimit të seancës.
Ai nuk është deklaruar për media, ndërsa pritet që seanca e sotme të fokusohet në konstituimin e Kuvendit.
09/09/2026 10:40- Gruda: Shpresoj të mos jetë lojë politike, pas 16 shtatorit vlerësojmë nëse i drejtohemi Kushtetueses
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, para fillimit të seancës së Kuvendit ka deklaruar se Kuvendi duhet të themelohet edhe nëse është tejkaluar afati kushtetues, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gruda tha se shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa shprehu shpresën që seanca e sotme të mos përdoret si një tjetër lojë politike pa përfunduar me themelimin e Kuvendit.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 10:35- Aksion me vezë para Kuvendit, ish-ushtari i UÇK-së: Deputetët kanë ra “klluq”
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke vendosur “klluq” deputetët.
Pllashniku vendosi vezë në shkallët në hyrjen e Kuvendit dhe tha se aksioni është në shenjë falënderimi për qytetarët që, sipas tij, e kanë përkrahur vazhdimisht.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 10:13- Ishte kundër marrëveshjes për presidentin, Shala pritet të jetë propozimi i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta propozojë deputetin Kujtim Shala për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Telegrafi mëson nga burime brenda këtij subjekti politik se emri i Shalës po shqyrtohet si kandidaturë e LDK-së për këtë pozitë, megjithatë propozimi ende nuk është zyrtarizuar nga partia.
Kandidatura e tij pritet të bëhet e ditur në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 09:52- “Kushtetuta mbi kalkulimet partiake”, Ramadani: Sot do të shihet nëse kemi rast të ri për Kushtetuese
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar para seancës së sotme të Kuvendit, duke thënë se sot do të shihet nëse do të ketë një rast të ri për Gjykatën Kushtetuese.
Ramadani, përmes një postimi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke ngritur dyshime se zhvillimet e fundit mund të jenë pjesë e, siç e quajti ai, “lojës së Vetëvendosjes me shtetin”.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 09:42- Haziri thotë se LDK do të votojë çdo kandidat të VV-së për kryetar të Kuvendit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se partia e tij sot do të jetë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
Ai ka treguar se kjo parti do të votojë kandidatin e VV-së për kryetar dhe kandidatët për nënkryetarë.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 09:41- Konstituimi i Kuvendit, PDK propozon Vlora Çitakun për nënkryetare
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive, me deputetët që pritet të mblidhen në orën 11:00 për të proceduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës pritet të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 09:39- LVV pritet ta nominojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit
Sot, në orën 11:00, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Siç ka mësuar Telegrafi, Lëvizja Vetëvendosje pritet ta nominojë Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit.
09/09/2026 07:39- KDI: Kuvendi mund të konstituohet, por tejkalimi i afatit kushtetues kërkon qartësi juridike
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës mund të konstituohet edhe pas tejkalimit të afatit kushtetues 30-ditor, por ka kërkuar qartësi juridike nga Gjykata Kushtetuese për pasojat e një veprimi të tillë.
Sipas KDI-së, konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për funksionimin normal të institucioneve dhe për tejkalimin e krizës institucionale, por tejkalimi i afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese ngre çështje serioze juridike.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 07:36- Aleanca nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive
Aleanca ka vendosur që të mos marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive që do të mbahet, sot më 9 shtator.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Lajmi i plotë KËTU:
09/09/2026 07:33- Seanca konstitutive, Kurti: Do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në seancën e Kuvendit të Kosovës që është thirrur për të mërkurën e 9 shtatorit.
I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të paraqesë propozim për kryetar të Kuvendi, Kurti u përgjigj shkurt: “… e kanë thirr seancën e Kuvendit, do të jemi aty”.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU:
09/09/2026 07:26- Deklarata e kryesuesit Dehari për seancën konstituive
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ditë më parë kur paralajmëroi vazhdimin e seancës për sot tha se edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, ka vendosur që vazhdimin e seancës konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00.
Dehari në një deklaratë theksoi se Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor.
“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e seancës konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, ka shkruar ai.



