Pas më shumë se një dekade, Maqedonia e Veriut ka një listë të përditësuar të barnave esenciale, të cilat duhet të jenë në dispozicion të punonjësve shëndetësorë për trajtimin e pacientëve.
Lista e re përfshin gjithsej 372 barna, prej të cilave 193 janë barna të reja, ndërsa është sistematizuar në 28 fusha terapeutike dhe në nëngrupe të veçanta, me qëllim që përdorimi i saj të jetë më i qartë dhe më funksional në praktikën shëndetësore.
Një nga risitë e rëndësishme është se lista përcakton edhe udhëzime më të qarta për situatat kur një bar i caktuar nuk është i disponueshëm. Në këto raste përcaktohet se çfarë alternative terapeutike mund të përdoret si zëvendësim adekuat.
Ndryshime janë bërë edhe në mënyrën e klasifikimit të antibiotikëve, të cilët tashmë janë ndarë në tri nëngrupe. Gjithashtu, në listë janë përfshirë fusha të reja terapeutike, mes tyre skleroza multiple, fibroza cistike, terapitë moderne për HIV-in, hepatitin B dhe C, si dhe terapitë onkologjike.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë promovimit të listës së re theksoi se përditësimi ishte i domosdoshëm, pasi gjatë 11 viteve të fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë disa ndryshime të rëndësishme në listën e saj të barnave esenciale.
Sipas Klekovskit, lista kombëtare është përgatitur përmes një procesi pjesëmarrës në kuadër të Platformës Kombëtare për Barnat, ku janë përfshirë institucionet, komuniteti profesional dhe organizatat e pacientëve.
Fokusi edhe te parandalimi
Lista e re nuk fokusohet vetëm te trajtimi i sëmundjeve, por edhe te parandalimi. Një nga risitë është përfshirja për herë të parë e terapisë zëvendësuese të nikotinës, e cila, sipas ministrit Klekovski, duhet të kontribuojë në qasjen parandaluese ndaj sëmundjeve, përfshirë edhe kancerin e mushkërive.
Klekovski theksoi se nuk duhet të pritet edhe një dekadë tjetër për përditësimin e listës.
“Duhet ta vendosim mekanizmin për përditësime të rregullta”, tha ai, duke nënvizuar se ndryshimet nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme çdo gjashtë apo 12 muaj, por duhet të ndjekin ndryshimet më të rëndësishme në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sipas tij, kur OBSH-ja bën ndryshime të rëndësishme në listën e barnave esenciale, ato duhet të reflektohen edhe në rregullativën kombëtare.
Edhe përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, doktor Akeem Ali, vlerësoi se institucionalizimi i përditësimit të rregullt të listës, përmes Ligjit të ri për Barnat, do të jetë i rëndësishëm për të garantuar që ajo të mbetet vazhdimisht relevante dhe në përputhje me nevojat e pacientëve.
Ai theksoi se një mekanizëm i qëndrueshëm për përditësimin e listës është i rëndësishëm edhe për përgjegjshmërinë e sistemit shëndetësor dhe ruajtjen e besimit të publikut.

