Ministria e Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum për renovimin e palestrës sportive në Istog, në vlerë prej 1 milion e 734 mijë e 918 euro.
Njoftimin e ka bërë ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, i cili ka bërë të ditur se memorandumi është nënshkruar së bashku me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Sipas Gashanit, ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët dhe të rinjtë e Istogut.
“Ditën e nisëm me një lajm të mirë për qytetarët e Istogut. Së bashku me kryetarin e Istogut, zotëri Ilir Ferati, sot nënshkruam memorandumin për renovimin e palestrës sportive në Istog, me vlerë prej 1,734,918 euro”, ka shkruar Gashani.
Ai ka theksuar se investimi është konkret dhe në funksion të zhvillimit të sportit në këtë komunë.
“Një investim konkret për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët dhe të rinjtë e Istogut. Vazhdojmë”, ka përfunduar Gashani.

