Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në fjalën përfundimtare në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliut nga 3 vjet burigm, kurse Hajredin Kuçit me 9 muaj burgim.
Prokurori Joshua Hafetz kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës.
“Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast. Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, tha Hafetz.
Sipas ti, janë krime veprimet që janë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm në këtë rast.
“Janë krime për një arsye të qartë; Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, u shpreh prokurori.
Paraprakisht, Hafetz tha se provat në këtë rast janë të rënda, andaj sipas tij, mbrojtja tentoi të largojë përmbajtjen e një incizimi./BetimipërDrejtësi/
The post Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 për Fazliun, Kiljan e Smakajn e 9 muaj për Kuçin për pengim të drejtësisë appeared first on Gazeta Express.

