Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe ndikimi i tij në diskursin politik serb duhet të vazhdojnë të jenë objekt i studimit shkencor.
Kurti i bëri këto deklarata të premten në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Sipas Kurtit, katër dekada pas publikimit të Memorandumit, është e rëndësishme të analizohen rrethanat në të cilat u hartua, idetë që artikuloi dhe ndikimi i tij në diskursin politik e shoqëror të Serbisë.
Ai tha se Kosova kishte rol të veçantë në këtë narrativë dhe se, gjatë fundit të viteve ’80 dhe viteve ’90, pretendimet për “rrezikimin e serbëve” në Kosovë u përdorën si pjesë e mobilizimit politik në Serbi.
“Pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe, më vonë, lufta”, tha Kurti.
Ai theksoi se rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse, por sipas tij, historia e ish-Jugosllavisë tregon se narrativat e prodhuara dhe të legjitimuara nga autoritete akademike e publike mund të krijojnë klimën politike dhe morale në të cilën diskriminimi normalizohet dhe dhuna pranohet si mjet politik.
Kurti foli edhe për përgjegjësinë e institucioneve akademike dhe intelektualëve publikë, duke thënë se autoriteti shkencor nuk duhet të përdoret për t’u dhënë karakter akademik paragjykimeve etnike apo pretendimeve politike.
Ai kërkoi që Memorandumi i SANU-së dhe roli i elitave intelektuale serbe të asaj kohe të vazhdojnë të studiohen përmes dokumenteve dhe burimeve kredibile, me metodologji shkencore.
Në fjalën e tij, Kurti u ndal edhe te glorifikimi i figurave të dënuara për krime lufte në Serbi, duke përmendur ish-komandantin e Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në burgun e Hagës.
“Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime”, deklaroi Kurti.
Ai kritikoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet figura e Mlladiqit, duke e lidhur këtë me mungesën e përballjes së Serbisë me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi.
Kurti tha se për Kosovën dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë përgjegjësi shtetërore dhe shkencore, duke përmendur dokumentet, arkivat, dëshmitë e të mbijetuarve, familjet e viktimave dhe personat ende të zhdukur.
Ai deklaroi se puna dokumentuese dhe shkencore është e rëndësishme për të parandaluar mohimin, shtrembërimin dhe relativizimin e krimeve të së kaluarës./Telegrafi/

