Çështja e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pritet të dërgohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 10 shtator.
Kështu mësohet se kanë deklaruar avokatët e huaj të Veliajt, të cilët kanë kërkuar një takim të dytë me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK).
Takimi pritet të zhvillohet po më 10 shtator, ndërsa në fokus do të jetë vijimi i procedurave ligjore për kundërshtimin e masës “arrest me burg” dhe hapat për dërgimin e çështjes në Strasburg.
Sipas burimeve, në të njëjtën datë Veliaj pritet të firmosë apelin që do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, raportojnë mediat shqiptare.
Takimi i parë i kryebashkiakut me avokatët e huaj u zhvillua më 28 korrik.
Gjatë takimit u diskutuan hapat ligjorë që mbrojtja do të ndjekë lidhur me masën e sigurisë dhe pretendimet e Veliajt për të drejtat e tij.
Erion Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” që prej shkurtit të vitit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK.

