Ministra të qeverisë serbe dolën dje për ta pritur dhe shoqëruar trupin e Ratko Mlladiqit, të dënuarit përfundimisht për gjenocid dhe krime lufte, duke i dhënë kthimit të tij në Serbi një trajtim që zakonisht u rezervohet figurave shtetërore. Trupi i tij mbërriti në Beograd më 3 shtator me avion qeveritar dhe u prit me nderime ushtarake.
Ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ishte në mesin e zyrtarëve që shoqëruan trupin gjatë kthimit nga Haga. Arkivoli, i mbuluar me flamurin serb, u nxor nga avioni nga gjashtë ushtarë, ndërsa më pas kortezhi u nis drejt Akademisë Mjekësore Ushtarake (VMA), nën përcjellje policore, shkruan Klix.ba
Pamjet e mbërritjes krijuan një skenë që ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si autoritetet serbe i trajtojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe një person të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës.
Përgjatë rrugës së kortezhit në Beograd u mblodhën qytetarë me flamuj, pankarta dhe flakadanë. Në një prej urave u shfaq edhe një pankartë ku Mlladiqi cilësohej “hero serb”.
Mlladiqi nuk ishte thjesht një ushtarak i zakonshëm. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe në rrethimin e Sarajevës, ku humbën jetën mijëra civilë.
Megjithatë, në vend që kthimi i tij të shoqërohej me reflektim mbi krimet për të cilat u dënua, Serbia zgjodhi nderimet, flamujt, eskortën ushtarake dhe ceremoninë.
Madje, ministri i Drejtësisë kishte deklaruar më herët se Mlladiqi do të varrosej me “nderime të plota shtetërore dhe ushtarake”, duke argumentuar se protokollet për gradën e tij si gjeneral do të respektoheshin.

