Ka diçka të çuditshme në mënyrën se si Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta shohë veten. Brenda kësaj partie ende mbizotëron bindja se është “parti e madhe”. Sikur madhështia politike të ishte një titull i trashëguar, një pronë që nuk humbet kurrë, pavarësisht rezultateve në zgjedhje.
Por politika nuk njeh madhështi të përhershme. Madhësia matet me vota, me besim qytetar, me ndikim dhe me aftësi për të fituar zgjedhje. Realiteti për LDK’në është shumë më i hidhur se miti.
Kjo parti nuk ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare në Kosovë tash e më shumë se dy dekada. Dikur ishte partia dominuese e skenës politike dhe lidhej me emrin e Ibrahim Rugovës e idenë e një Kosove të lirë e demokratike. Sot është partia e tretë dhe rezultati në zgjedhje është një sinjal alarmi.
Problemi më i madh është se, në vend që ky rezultat të prodhojë një reflektim të thellë, LDK vazhdon të sillet sikur problemi është diku jashtë saj. Sikur votuesi të mos e ketë kuptuar ofertën. Sikur historia e lavdishme të mjaftojë për të garantuar të ardhmen. Kjo, natyrshëm, nuk mjafton.
LDK sot po përballet me një krizë që nuk është vetëm elektorale. Është krizë identiteti, lidershipi dhe besimi. Përçarjet e brendshme janë gjithnjë e më të dukshme, ndërsa debati për drejtimin e partisë po zhvillohet në një atmosferë mosbesimi dhe akuzash. Në qendër të kësaj krize është Lumir Abdixhiku.
Ai e mori drejtimin e partisë në mars të vitit 2021. Pesë vjet janë kohë e mjaftueshme për të treguar nëse një lidership ka aftësi ta ringjallë një parti, ta zgjerojë bazën e saj dhe ta kthejë në forcë qeverisëse. Rezultatet, megjithatë, nuk japin arsye për vetëkënaqësi.
Në vend se LDK të bëhej më e madhe, ajo vazhdoi të mbetej në vendin e tretë. Çfarë shkoi keq?
Abdixhiku krijoi ekipin e tij, promovoi figura të reja dhe u përpoq ta ndërtojë një LDK më të përshtatur me profilin e tij politik. Por në këtë proces, shumë prej figurave të vjetra me histori, ndikim dhe peshë elektorale u larguan, u anashkaluan ose mbetën jashtë vendimmarrjes.
Rinovimi i një partie nuk është problem. Përkundrazi, çdo parti që dëshiron të mbijetojë duhet të rinovohet. Problemi lind atëherë kur rinovimi shndërrohet në përjashtim. Kur të rinjtë përdoren për të zëvendësuar të vjetrit, në vend që të ndërtohet një urë mes gjeneratave. Kur përvoja shihet si pengesë dhe jo si kapital politik. Kur kritikët trajtohen si armiq dhe jo si njerëz që mund të kenë një mendim ndryshe. Kjo është pikërisht ajo që shumëkush brenda LDK’së e sheh si arrogancë dhe prepotencë të lidershipit të ri.
Një parti demokratike nuk mund të funksionojë me logjikën “ose je me mua, ose je kundër meje”. Aq më pak një parti që pretendon të jetë trashëgimtare e një tradite demokratike. LDK ka nevojë për debat, jo për heshtje. Ka nevojë për konkurrencë të brendshme, jo për uniformitet. Ka nevojë për figura që mund ta kundërshtojnë kryetarin pa u konsideruar problem për partinë.
Sepse një parti që i largon njerëzit për shkak se mendojnë ndryshe, në fund nuk bëhet më e fortë. Bëhet më e vogël. Dhe kjo është frika më e madhe për LDK’në sot.
* * *
Nëse kriza vazhdon, nëse përçarjet thellohen dhe nëse lidershipi nuk arrin të krijojë një proces të vërtetë pajtimi brenda partisë, zgjedhjet e reja mund ta gjejnë LDK’në edhe më të dobët. Jo vetëm me më pak deputetë, por me një elektorat gjithnjë e më të plakur, më pak entuziast dhe gjithnjë e më të gatshëm të kërkojë alternativë tjetër. Në politikë votuesi nuk ka obligim të jetë besnik ndaj historisë së një partie. Ai mund të largohet. Dhe kur largohet, nuk kthehet vetëm pse partia i kujton se dikur ka qenë e madhe.
Ky është miti që LDK duhet ta thyejë para se të jetë vonë: miti se ajo është ende automatikisht njëra nga dy partitë kryesore të Kosovës. Nuk është. Sot është e treta. Dhe nëse nuk ndryshon diçka serioze, mund të bëhet edhe më e vogël.
Ndoshta problemi më i madh i LDK’së nuk është se ka humbur zgjedhjet. Partitë humbin zgjedhje. Problemi është se duket se ende nuk e ka kuptuar plotësisht pse po i humb ato. Për sa kohë që në vend të analizës së sinqertë ka justifikime, për sa kohë që në vend të bashkimit ka përçarje, për sa kohë që në vend të debatit ka disiplinim dhe për sa kohë që historia përdoret si zëvendësim për vizionin, LDK do të vazhdojë të jetojë mes kujtimeve të madhështisë së dikurshme dhe frikës nga një e ardhme gjithnjë e më e pasigurt.
Edhe rikonfirmimi i kryetarit nuk e zgjidh këtë problem. Abdixhiku mori sërish besimin e delegatëve, por kjo nuk mund të interpretohet automatikisht si zgjidhje e krizës.
Përkundrazi, tash përgjegjësia është edhe më e madhe. Pas pesë vjetësh nuk mund të kërkohet më kohë për ta provuar veten. Tash duhet të dëshmohet rezultati.
LDK ka ende mundësi të rikthehet. Ka histori, strukturë, njerëz me përvojë dhe një pjesë të rëndësishme të elektoratit që ende e sheh si shtëpinë e vet politike. Por asgjë nuk është e përhershme. Nëse LDK vazhdon të besojë se është e madhe vetëm pse dikur ishte e tillë, rrezikon ta humbë edhe atë që i ka mbetur. Dhe atëherë pyetja nuk do të jetë më pse LDK nuk po kthehet në partinë e parë, por a do të mbetet e madhe vetëm në kujti

