Në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmedi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri, janë deklaruar të pafajshëm për krim të organizuar lidhur me përgatitje të vrasjes e vepra tjera penale.
Pesë të akuzuarit bashkë me Adem Helshanin (i cili ndodhet në arrati) ngarkohen se duke vepruar si grup kriminal ndërmorën veprime përgatitore për vrasjen e Shkodran Hysenit. Ata ngarkohen se gjithashtu planifikuan sulm ndaj bizneseve të familjes Buquku.
Fillimisht, në seancën e së enjtes, palët deklaruan se kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës e më pas u lexua aktakuza nga prokurori special, Kastriot Memaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pas leximit të aktakuzës, të akuzuarit të pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, deklaruan se e kanë kuptuar aktakuzën dhe njëzëri u deklaruan të pafajshëm.
Më pas, gjykatësi Shyti njoftoi palët që në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Pas kësaj, mbrojtësi i Ramqajt, avokati Imer Beka tha se në emër të të gjithë mbrojtësve paraqet kërkesë për ndërprerje të masës së paraburgimit.
Beka tha se të akuzuarit po qëndrojnë nën këtë masë tash e mbi 18 muaj, duke shtuar se kanë pushuar shkaqet për vazhdimin e kësaj mase.
Por, gjykatësi Shyti refuzoi ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Gjithashtu, Gjykatësi Shtyti paraprakisht njoftoi se lënda veçohet ndaj të akuzuarit Helshani, për arsye se ndodhet në arrati.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale më 17 korrik 2026, ka ngritur një aktakuzë tjetër kundër Adem Helshanit dhe pesë të akuzuarve tjerë: Qëndrim Elshanit, Mentor Dreshajt, Leon Dizdarit, Ardian Gashit dhe Faruk Osajt, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe vepra të tjera penale. Aktakuza thotë se sipas udhëzimeve të të akuzuarit Helshani, pesë të akuzuarit tjerë kanë ndërmarrë veprime konkrete për përgatitjen e vrasjes së të dëmtuarit Shkodran Hyseni, si dhe plagosjen ose vrasjen eventuale të Jeton Buqukut dhe Egzon Buqukut. Për këtë aktakuzë, po zhvillohet proces tjetër gjyqësor.
Ndërkaq, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që mban datën 30 korrik 2026 ngarkon Adem Helshanin me nofkën “Mixha”, Dardan Ramqajn, Fatos Qallakun, Shpend Kelmendin, Demokrat Muçajn dhe Roland Beqirin.
Sipas aktakuzës, gjatë muajve dhjetor 2024 e deri më 21 shkurt 2025 në Kosovë dhe jashtë saj, të akuzuarit Adem Helshani, Dardan Ramqaj, Demokrat Muçaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi dhe Roland Beqiri, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me dashje dhe dijeni e me qëllim të përbashkët kriminal, nga motive të ulëta e duke demosturar fuqinë e grupit, frikësimit të viktimave dhe detyrimit të tyre që të vepronon në dëm të pasurisë së vet, kishin ndërmarrë veprime përgatitore për vrasjen e Shkodran Hysenit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Helshani i njohur me nofkën “Mixha” ka organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit, duke dhënë udhëzimet dhe duke angazhuar Ramqajn për koordinim të planit.
Në aktakuzë, tutje thuhet se Ramqaj mbajti kontakt me pjesëtarët e tjerë të grupit, ka koordinuar sigurimin e personave, armëve, mjeteve shpërthyese, automjeteve dhe kushteve të tjera të nevojshme për realizimin e vrasjes.
Sipas aktakuzës, më 18 janar 2025, Muçaj ka pritur Ramqajn në Aeroportin e Tiranës, e ka transportuar deri në Pejë dhe është angazhuar për sigurim të armëve, fitilave dhe mjeteve të tjera shpërthyese. Kurse, Beqiri ka siguruar automjetin dhe vendqëndrimin dhe ka marrë përsipër sigurimin e armës dhe personave për krijimin e veprimit shpërqendrues pranë lokalit të të dëmtuarit Jeton Buquku, si dhe në të njëjtën kohë është planifikuar edhe sulmi ndaj bizneseve të familjes Buquku me armë dhe dinamit me qëllim të shkaktimit të dëmit material, ndërsa në anën tjetër i dëmtuari Shkodran të vritet.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Qallaku dhe Kelmendi si pjesëtarë të grupit, kanë ofruar mbështetje logjistike dhe teknike, duke ofruar këshilla për fshehjen e armëve, duke marrë përsipër transportimin dhe largimin e personave pas kryerjes së veprës penale, por që qëllimi kriminal është ndaluar pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës më 21 shkurt 2025, ku janë arrestuar të akuzuarit: Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmedi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri dhe se pas bastisjeve u janë gjetur armë zjarri dhe mjete të tjera të destinuara për kryerjen e veprës penale.
Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen me veprat penale si në vijim:
Adem Helshani akuzohe për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 2 i Kodit Penal lidhur me veprën penale “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 dhe 1.13 e lidhur me nenin 27 të KPRK-së.
Të akuzuarit Dardan Ramqaj, Demokrat Muçaj, Roland Beqiri, Shpend Kelmendi dhe Fatos Qallaku ngarkohen me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me veprën penale “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.8 dhe 1.13 e lidhur me nenin 27 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri Fatos Qallaku akuzohet edhe për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/
The post Deklarohen të pafajshëm edhe 5 të akuzuarit tjerë për përgatitje të vrasjes në Pejë e vepra tjera penale, Adem Helshani në arrati appeared first on Gazeta Express.

