By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë
Lajme

Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë

Momenti
Published: September 3, 2026

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, por ka paralajmëruar se heshtja institucionale dhe tërheqja e shtetit përballë presionit mund të rrezikojnë parimet mbi të cilat ndërtohet shoqëria.

Në përgjigjen drejtuar intelektualëve shqiptarë, të cilët më 28 gusht publikuan një letër të hapur për zhvillimet e fundit rreth fesë dhe bashkëjetesës ndërfetare, Gjergji thotë se marrëdhëniet mes katolikëve dhe myslimanëve vazhdojnë të jenë të qëndrueshme. Ai vlerëson se do të ishte e pasaktë dhe e rrezikshme që debati aktual të paraqitej si përplasje mes dy feve.

Your browser does not support the video tag.

Megjithatë, ipeshkvi ngre shqetësime për raportin mes shumicës dhe pakicës, ndërhyrjen e fesë në politikë, rolin e institucioneve dhe respektimin e lirive fetare. Ai paralajmëron se shteti nuk duhet të kufizojë të drejtat e atyre që veprojnë brenda ligjit për shkak të presionit apo kërcënimeve nga të tjerët.

Gjergji kërkon një dialog të hapur me intelektualët, akademinë, institucionet, politikën dhe mediat, duke theksuar se përgjegjësia për ruajtjen e bashkëjetesës nuk u takon vetëm prijësve fetarë.

PËRGJIGJE LETRËS SË HAPUR TË INTELEKTUALËVE
nënshkruesve të letrës së hapur të 28 gushtit 2026
Të nderuar,
e kam lexuar me vëmendje dhe me respekt letrën tuaj, me të cilën më jeni drejtuar edhe mua,
jo vetëm për shkak ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit ndaj çdo shqetësimi, por edhe për
shkak të përmbajtjes së saj, të shqetësimit që Ju shprehni e brengosjes tuaj për të ardhmen tonë.
Veç kësaj, sepse e vlerësoj bashkimin tuaj si intelektual, veprimtar dhe bashkëkombës me
përvojë, për të shprehë bashkërisht një shqetësim dhe për të mbrojt bashkëjetesën ndërfetare
ndër ne. Po flas edhe unë publikisht me ju, në këtë moment kur debati mbi fenë, historinë,
identitetin dhe shtetin po merr tone gjithnjë e më të ndjeshme që, nëse lihet në rrëshqitje të lirë,
mund të na marrë në qafë të gjithëve.
Pas një meditimi të thellë dhe shoshitje të vazhdueshme mbi të gjitha gjërat vendosa t’ju
përgjigjem me respekt, dashuri e mirënjohje. Këndej uroj që do të mirëkuptoni çdo fjalë të kësaj
letre, pasi edhe kur duket se është e ashpër, brenda e bartë butësinë dhe qëllim ka shërimin që
të gjithë po e kërkojmë.
Një shenjë shprese dhe një thirrje për dialog
Letrën tuaj e shoh si një shenjë shprese dhe si një shkëndijë të rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare
e të vetëdijes shoqërore për përgjegjësitë që kemi të gjithë. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për
shtresën intelektuale dhe akademike, e cila ka një rol të pazëvendësueshëm në orientimin e
mendimit publik. Për një kohë të gjatë, debati mbi çështje të ndjeshme si feja, historia, identiteti
dhe bashkëjetesa është lënë pothuajse tërësisht në duart e rrjeteve sociale, portaleve, polemikave
të çastit dhe klerikëve të papërgjegjshëm fetarë. Pikërisht për këtë arsye, shqetësimin tuaj e
mirëpres dhe ju siguroj që të gjitha kërkesat tuaj në atë letër janë të zbatueshme në Kishën tonë,
dhe nga unë personalisht.
Varësisht dallimeve që kemi, mbi fenë, mbi historinë dhe mbi mënyrën e qasjes ndaj sfidave të
sotme, megjithatë, unë dhe kryemyftiu jemi takuar shpeshherë, kemi përçua mesazhe të
vazhdueshme paqeje, respekti, mirëkuptimi dhe jemi angazhuar të ruajmë bashkëjetesën
ndërvëllazërore dhe tolerancën ndërfetare mes nesh. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Edhe
pse, dorën në zemër, këto ditë jemi paksa të hutuar brenda rrethanave të krijuara. Por jam i
bindur që shpejtë do të kaloj frika, ekzaltimi apo shqetësimi. Si do që ta quajmë realitetin aktual,
s’duhet të harrojmë që edhe mes vëllezërve ka pakënaqësi e mosmarrëveshje. Këndej, kërkohet
durim me dashuri dhe duhet t’i jepet kohë të (zemëruarit) që të qetësohet.
I bindur se e gjithë situata e krijuar kohëve të fundit nuk është shkak i ndonjë veprimi të pamatur
nga ana jonë, por vjen si pasoj e një “britme” të atyre që s’duhej të flisnin dhe heshtja e gjatë e
intelektualeve gjatë dekadave. Pastaj, edhe nga neglizhenca e institucioneve arsimore dhe
organeve institucionale, e mbi gjitha nga filtrimi i fesë me politiken dhe keqpërdorimi politik i
fesë – për vota.
Vlerësova ta zgjeroj përgjigjen time ndaj letrës suaj, jo për t’i vënë në dyshim kërkesat tuaja,
por nga dëshira për të filluar “një tryezë dialogu me ju” dhe me të tjerët që, brenda heshtjes
tyre, ende kanë ndjenjë për vlerat tona dhe vullnet për t’i shpëtuar ato.
Mendoj që kërkesa ime për dialog të hapur me shoqërinë dhe me ju në veçanti është një hap i
rëndësishëm, që mund të hapë rrugë të reja për një debat të pjekur, të përgjegjshëm dhe të
dobishëm për shoqërinë tonë, për paqen tonë shpirtërore dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.
Nuk ka konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve
Para se të zbërthej disa mendime lidhur me argumentet, më duhet të konstatoj, se: Nuk ka
konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, pasi jeta reale e njerëzve tanë vazhdon të
dëshmojë për një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe dashuri të mjaftueshme. Njerëzit tanë
vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit, punojnë së bashku, ndajnë miqësi, lidhje familjare, jetë
bashkëshortore dhe bashkëndajnë gëzime dhe dhimbje. Ata ndahen në katolikë e myslimanë,
kur shkojnë në xhami e kishë, kur vdesin ose kur varrosen, e sidomos në rrjete sociale. Bile,
kohët e fundit njerëzit tanë kanë hyrë në një përvojë, në pamje të parë të re, por realisht shumë
të moçme, pasi shumica e të pagëzuarve, viteve të fundit, vazhdojnë të jetojnë në dashuri, në
paqe e në harmoni, me familjarët e tyre, me miqtë dhe rrethin shoqëror. Pikërisht si dikur kur
njëri vëlla konvertohej në islam e tjetri i rrinte besnikë bindjeve të tija, të dy këta vazhdonin ta
donin, ta mbështetnin e ta mbronin njëri-tjetrin.
Edhe marrëdhëniet institucionale ndërmjet Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame kanë qenë,
për vite të tëra dhe do të jenë marrëdhënie takimi, respekti dhe bashkëpunimi. Prandaj, do të
ishte e pasaktë dhe madje e rrezikshme që debati i sotëm të përshkruhej si përplasje ndërmjet
dy feve ose si një rrezik për bashkëjetesën ndërfetare, pasi këtë vlerë të paçmueshme të
shqiptarëve, s’kanë arrite ta rrënojnë pushtuesit, ta tjetërsojnë ideologjitë e nuk do të arrinim ta
rrënonim as ne prijësit fetar edhe po të donim. Pasi, kjo tashmë është ADN-ja e kombit tonë.
Vetëdija kombëtare, multireligjioziteti i popullit, uniteti i shpirtit dhe dashuria ndërvëllazërore
mes nesh është aq e fortë sa s’ka fuqi që ta rrënojë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk jemi
të vetëdijshëm për dëmin që mund të shkaktojë mendësia irracionale e disave, arroganca e
numrave, ose mosveprimi i drejtë i organeve ligjzbatuese dhe heshtja e atyre që duhet të flasin.
Kur liria ndahet nga përgjegjësia
Liria e pa menaxhuar nga ligji, e drejta pa iu nënshtruar të vërtetës dhe shpërqendrimi i shtresës
intelektuale nga përgjegjësia ka krijuar anarki mendimesh. Paqja pa qëllime sublime ka
shkaktuar “hapësira boshe”, në kohën tonë të cilat janë mbushur me nostalgji për të rikthyer të
kaluarën në lavdi imagjinare, në neotomanizëm, apo me narracion vetëkënaqësie. Pastaj,
ushtrimi i mundësive pa respekt dhe pa e ballafaquar me të vërtetën ka trondit shpirtin tonë.
Kur i shtojmë këtu edhe shumë gjëra më të tmerrshme që kanë ndodhur ndër ne, atëherë me
arsye ngritët pyetja: A po e rrezikojmë boshtin e unitetit kombëtarë?
Sigurisht janë të shumët ata që mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, nga aspekte të veçanta
antropologjike, socio-filozofike, historike, kulturore etj., që duhet t’i trajtoni ju e shumë të tjerë.
Kështu që po ndalem vetëm te aspekti shpirtërorë dhe fetarë, që më takon, edhe atë pa u thelluar
në tërësinë e problemit, por duke u ndalë vetëm te çështja kryesore, nga ku burojnë dallimet,
përçarjet, fyerjet dhe shumë të këqija tjera që kanë luhatur bindjen kolektive të shqiptarëve, me
narracione të reja, të dëmshme e të papranueshme.
Liria e shpirtit dhe realiteti i ri fetar
Pa u ndal te radikalizmi islamik, influencat e të huajve dhe financimet e jashtme, por duke u
mbështetur vetëm tek realiteti ynë, më duhet të konstatoj se deri në luftë e fundit, ishim të gjithë
një mendje dhe një zemër, pasi kishim synim e qëllim lirinë. Kur arritëm lirinë, njerëzit tanë iu
afruan xhamive dhe kishave, për t’u thelluar në fe, për të mos jetuar në hipokrizi shpirtërore
dhe për të qenë të vërtetë. Deri këtu gjithçka brenda suazës së normales. Por, kur shqiptarët e
islamizuar dikur u përballën me të vërtetat e fesë së tyre, u ndanë në tri taborë: në ata që duan
ta jetojnë fenë sipas doktrinës kuranore; në ata që insistojnë në parimin “feja e shqiptarit është
shqiptaria” dhe në ata që duan të krijojnë relacion me Krijuesin, por nuk gjejnë përgjigje e as
përmbushje shpirtërore në islam dhe duan të kthehen në fenë e të parëve të vet. Kështu,
njëkohësisht filloj riislamizimi dhe rikristianizimi i shqiptarëve të konvertuar në islam, edhe
pse shumica absolute akoma insiston të ruaj parimin e Pashko Vasës: feja e shqiptarit është
shqiptaria.
Jam i bindur që gjërat kanë ndryshuar dhe që duhet të kalojnë në një moto të re, të pranueshme
dhe të dobishme për kohën tonë dhe për secilin prej nesh, këndej fryma e re që duhet të na qoj
përpara duhet të jetë: ”FEJA E SHQIPTARIT” ËSHTË LIRIA E SHPIRTIT TIJ dhe
dashuria ndërvllazërore që i nënshtrohet përcaktimit individual të secilit.
Përplasja është mes koncepteve kombëtare, jo mes feve
Marrë parasysh për sa u tha më lartë, nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes katolikëve dhe
myslimanëve, por mes koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve të konvertuar dikur në islam.
Kanë filluar ushtrimin e lirisë së shpirtit e si pasoj e kësaj lirie ka filluar riislamizimi,
rikristianizimi ose braktisja e të dyja feve. Në fakt konflikti ka marrë përmasat që i ka, jo vetëm
prej arrogancës së riislamizuarëve dhe rikristianizuarëve e as nga perceptimi i shumicës së
shqiptarëve mbi një kombe fe ose nga pretendimi i disave për një fe komb. Por, se këto procese
kanë nxjerrë në pah dallimet të ndryshme, mbi dinjitetin, identitetin, mbi historinë, fenë,
kulturën, lirinë dhe karakterin e shtetit e mbi gjitha ndryshimin e rrugëtimit tonë drejtë të
ardhmes. Ne, të gjithë arrogancën ekstremiste të riislamizuarëve e përballuam me heshtje,
duresë dhe urti. E urojmë që edhe Bashkësia Islame, me të njëjtën urti dhe duresë, ta përballojë
arrogancën e disa myslimanëve të deritanishëm që janë kthyer në fenë e të parëve e të ju japë
kohën e duhur që t’i zbusim zemrat e tyre. Sepse, kemi bindjen që do t’i shndërrojmë në bijë të
denjë për kombin tonë.
Pikërisht, për shkak se problemi është më i gjerë se marrëdhënia ndërmjet dy bashkësive fetare,
përgjigjja ndaj këtij fenomeni nuk mund t’u lihet vetëm Kryemyftiut dhe Ipeshkvit. Kjo nuk do
të thotë që unë dhe Kisha Katolike dëshirojmë t’i shmangemi përgjegjësisë e as pjesës së fajit
për gjendjen e krijuar, por se jemi të bindur që të gjithë njerëzit vullnetmirë, duhet t’i bashkojnë
forcat shpirtërore, intelektuale, shoqërore dhe shtetërore të kombit, për t’i dhanë përgjigje
dilemave të krijuara, të vërtetave të manipuluara dhe të drejtave të cenuara, duke analizuar
shkak-pasojë, dhe t’u gjemë përgjigje të përbashkët pyetjeve të shtruara në letrën tuaj dhe
çështjeve më të rëndësishme, duke e shëruar “plagën”, pasi kjo plagë na ka bërë të vuajmë të
gjithë.
Diagnostikimi i plagës dhe gjetja e ilaçit
Aktualisht, zhurma është më e fuqishme, por nuk duhet harruar që procesi është shumë më i
gjatë. Në të vërtetë, ka dekada dhe vite me radhë që kur trumbetohen ide antikombëtare,
mohohen vlerat identitare që i trashëgojmë e që na bashkojnë, promovohen pasaktësitë historike
dhe nuk mungojnë as përpjekjet për të parcelizuar (copëzuar) historinë me pretendimin se vetëm
një periudhë është e dobishme dhe e vlefshme. Pastaj, kur i shtojmë këtu interpretimet e cekëta
të identitetit shqiptar, përzierjen e fesë në projekte politike dhe kulturore. Mbi gjitha, kur
shumica fetare, për të dominuar dinamikat shoqërore, politike dhe ligjore, pretendon se
toleranca është meritë e shumicës së censusit, e si rrjedhojë kur pakica do të ushtrojë një të
drejtë, duhet të marrë pëlqimin (nula osta) nga shumica se përndryshe rrezikohet paqja dhe
toleranca ndërfetare dhe shkaktarë i gjithë kësaj do të shpallet pakica. Këto dhe shumë anomali
tjera, me heshtjen e të gjithëve, janë lanë në dorën e të papërgjegjshmëve, e si rrjedhojë e
heshtjes institucionale, shoqërore dhe akademike, e ndoshta shumë njerëz të dijes kanë menduar
se sharlatanët dhe pseudo historianet nuk meritojnë përgjigje. Por koha ka treguar se heshtja
nuk e shuan domosdoshmërisht të pavërtetën; shpeshherë i jep asaj kohë të zërë rrënjë në
mendjen e njerëzve. Pasi, kur e vërteta hesht gënjeshtra e zë vendin e saj.
Heshtja krijon hapësirë për të pavërtetën
Kur universitet tërhiqen nga debati publik mbi argumentet që i theksova, rrjetet sociale fillojnë
të formojnë bindje brenda grupeve të veçanta. Kur institucionet kulturore nuk e mbrojnë
kujtesën historike me argumentet e qëndrueshme mbi të vërtetën, ajo kujtesë fillon të
riformatohet sipas ideologjive të ditës. Dhe kur politika hesht e shteti përpiqet të negocioj liritë
dhe obligimet me kërcënuesit e tyre, shumica mund të fillojë ta ngatërrojë fuqinë e numrit me
të drejtën për të përcaktuar çfarë është e vërtetë, çfarë është kombëtare dhe çfarë është e
lejueshme e çfarë është e ndaluar. Bile, të shkoj aq larg, sa të pretendojë se është shumica ajo e
cila duhet të përcaktojë se kur dikush mund ta ushtrojë të drejtën e kur ushtrimi i saj kërcënon
tolerancën ndërfetare ose paqen mes shqiptarëve.
Këtu, për mendimin tim, gjendet një nga problemet më serioze të momentit. Pasi, feja brenda
një shoqërie të lirë, nuk mund të pretendojë potencë nëpërmjet shumicës, por të mbështetet në
fuqinë e argumentit në mirësinë e të bijve të Hyjit dhe në të vërtetën. Shumica nuk ka të drejtë
të përcaktojë lirinë e as nuk ka të drejtë ta përvetësojë të vërtetën, historinë, kulturën apo lirinë
e ndërgjegjes së tjetrit. Shumica është njësi matëse në politiken demokratike që përcakton se
kujt mund t’i jepet e drejta të drejtojë qeverinë dhe funksionalitetin demokratik të saj, por nuk
mund të jetë njësi matëse që përcakton se kush ka më shumë dinjitet, kush është më autentik
kombëtarisht apo se sa fuqi ka një shumicë, e aq më pak që ajo të përcaktojë se sa hapësirë
duhet t’i takojë një pakice në ushtrimin e të drejtave të veta.
Toleranca ndërfetare nuk është meritë e shumicës
Shpeshherë edhe nga autoritetet institucionale dëgjohet formulimi se “toleranca fetare është
meritë e shumicës”. Kjo është e pa pranueshme dhe konceptualisht krejt gabim, pasi e vendos
shumicën në pozitën e atij që toleron dhe pakicën në pozitën e atij që tolerohet. Por, në një shtet
të së drejtës, pakica nuk është mysafire e shumicës. Katoliku nuk jeton i lirë, sepse myslimani
e toleron dhe myslimani nuk duhet të jetojë i lirë në një vend me shumicë të krishterë, sepse i
krishteri është zemërgjerë. Të dy janë të lirë, sepse kanë dinjitet njerëzor dhe sepse shteti ua
garanton këtë liri si të drejtë, jo si favor.
Kur kërcënimi bëhet më i fortë se ligji
Pikërisht për këtë, mosfunksionimi i ligjit sidomos tërheqja e institucioneve përballë presionit
të shumicës është shumë më tepër se një problem administrativ. Pasi një veprim i tillë prek vetë
themelin e shtetit. Nëse një bashkësi, një individ apo një institucion vepron brenda ligjit, ndërsa
një grup tjetër kërcënon me trazira, presion apo protesta për ta penguar atë, shteti nuk mund të
zgjidhë problemin duke kufizuar të drejtën e atij që respekton ligjin në favor të frikës së tij nga
ata që e kërcënojnë atë. Në atë çast krijohet një precedent i rrezikshëm, sepse mesazhi që i
dërgohet shoqërisë është se kërcënimi mund të ketë më shumë forcë se ligji. Dhe kur kjo ndodh,
nuk humb vetëm një pakicë fetare apo një bashkësi e caktuar. Humb vetë Republika, sepse
qytetari fillon të mësojë se të drejtat nuk varen nga Kushtetuta dhe ligji, por nga gatishmëria e
shumicës për t’i pranuar ose refuzuar ato.
Natyrisht, shteti ka detyrim ta mbrojë rendin dhe sigurinë publike. Askush nuk kërkon që
rreziku të neglizhohet. Por, ka një dallim thelbësor ndërmjet mbrojtjes nga një rrezik real dhe
dorëzimit përpara kërcënimit. Në rastin e parë, shteti garanton të drejtën dhe njëkohësisht
mbron sigurinë. Në rastin e dytë, ai kufizon atë që vepron ligjërisht për t’iu përshtatur atij që
kërcënon. Kjo e përmbys rendin moral dhe juridik të shoqërisë. Sepse në fund mësohet një
parim i gabuar: kush bërtet më shumë, kush mobilizon më shumë njerëz ose kush kërcënon me
më shumë pasoja, fiton më shumë pushtet mbi vendimmarrjen publike. Një shtet që e pranon
këtë logjikë sidomos për çështjet fetare, nuk mund të jetë shtet i drejtë, demokratik e as
evropian.
Shteti duhet të garantojë lirinë, jo ta negociojë atë
Pikërisht këtu kam ndier mungesën e një mbështetjeje më të qartë institucionale. Nuk mjafton
që shteti të shpall në dokumente se qytetarët janë të barabartë dhe se Kosova është shtet laik.
Këto parime marrin kuptim vetëm atëherë kur provohen në situata konkrete, sidomos kur
mbrojtja e tyre kërkon guxim politik. Është e lehtë të flitet për tolerancë në konferenca dhe
ceremoni; është shumë më e vështirë të mbrohet barazia atëherë kur një pjesë e shumicës nuk
është dakord. Por pikërisht aty matet serioziteti i institucioneve. Shteti nuk duhet të jetë arbitër
i së vërtetës fetare, por duhet të jetë garant i lirisë së secilit. Dhe, kur ai tërhiqet para presionit,
krijon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe bindjen se shumica mund të zëvendësojë ligjin me
vullnetin e vet dhe detyrimisht i imponon pakicës që të gjejë rrugë tjera për ta mbrojtur të drejtën
e vet.
Ftesë për një dialog të hapur dhe serioz
Ndërkohë, meqë ju më jeni drejtuar publikisht, dua t’ju siguroj se Kisha Katolike në Kosovë
dhe unë personalisht do të vazhdojmë dialogun ndërfetar me myslimanët. Por, duam të fillojmë
një dialog me kombin tonë dhe të hyjmë në dialog të hapur, të qetë, të sinqertë dhe serioz me
shtresën intelektuale, akademike, kulturore dhe institucionale të vendit. Jo për të kërkuar fajtorë,
por për të sqaruar parimet mbi të cilat duhet të mbështetet bashkëjetesa jonë: e që ne të paktët
që rezistuam dhe ruajtëm kontinuitetin e popullit tonë të mos konsiderohemi pakicë dhe të huaj
në vendin tonë. Që ligji të jetë më i fortë se presioni, që shumica të mos bëhet pronare e së
vërtetës, që ‘‘pakica’’ të mos ndihet mysafire në atdheun e vet, që historia të mos rishkruhet
sipas nevojave të së tashmes, që shteti laik të mbetet garancia e lirisë së të gjithëve dhe që uniteti
ynë të mos shpërbëhet.
Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë
Në këtë pikë pajtohem plotësisht me një prej pohimeve të letrës suaj: kjo çështje nuk u përket
vetëm imamëve dhe priftërinjve. Nëse rreziku është shoqëror, përgjegjësia duhet të jetë
shoqërore. Nëse preket historia, duhet të flasin historianët. Nëse preket barazia, duhet të veprojë
shteti. Nëse vihet në pikëpyetje karakteri laik i Republikës, duhet të reagojnë institucionet
kushtetuese. Dhe nëse po krijohet një kulturë në të cilën shumica beson se numri i jep të drejtë
të përcaktojë gjithçka, atëherë duhet të zgjohet ndërgjegjja e tërë shoqërisë.
Nga alarmi te përgjegjësia e përbashkët
Prandaj, ju falënderoj për alarmin që keni ngritur! Por, do të dëshiroja që ky alarm të mos
përfundojë me një letër drejtuar dy liderëve fetarë. Do të dëshiroja që ai të bëhet fillimi i një
rizgjimi i ndërgjegjes kombëtare dhe i përgjegjësisë së përbashkët. Ne, Kisha Katolike –
Dioqeza Prizren-Prishtinë, do ta bëjmë pjesën tonë si deri më tani me duresë, arsye dhe dashuri.
Por, presim që edhe bashkësitë e tjera fetare, akademia, shteti, universiteti, politika, mediat dhe
intelektualët t’i dalin ballë përgjegjësive të veta. Vetëm kështu mund ta ruajmë një shoqëri, në
të cilën dallimet nuk kthehen në armiqësi dhe askush nuk ka nevojë të kërkojë lejen e shumicës
për të qenë i lirë e për ti ushtruar të drejtat e ligjshme.
E vërteta në dashuri
Si i krishterë, besoj se e vërteta dhe dashuria nuk mund të ndahen. E vërteta pa dashuri mund
të kthehet në armë; dashuria pa të vërtetë mund të lërë boshllëk. Ne kemi nevojë për të dyja.
Vetëm kështu mund ta mbrojmë paqen, dinjitetin e secilit dhe atë trashëgimi të përbashkët të
shqiptarëve, bashkëjetesën ndër vëllazërore dhe tolerancën ndërfetare, që nuk është pronë e një
feje, por amanet i të parëve për të gjithë ne.
Me respekt dhe mirënjohje! /Kosovapress

The post Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë appeared first on Gazeta Express.

You Might Also Like

Ambasada e SHBA për “optimizimin” e forcave të KFOR-it: Të koordinohet ngushtë me të gjitha palët
Kurti në podcast me gjeneralin francez: Njerëzit në Kosovë e ndjejnë vetën autoktonë, që vijnë nga ilirët e lashtë
Qëlloi me armë në ajër nga vetura, arrestohet i dyshuari në Klinë, policia sekuestron revole a karikator
Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin-Potok
Regjistrohet viktima e shtatë nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

LEXO GJITHASHTU

LVV-ja kritikon kushtet në shkollën “Ismail Qemali”: Fëmijët në banka, mbeturinat nëpër klasa
LVV-ja kritikon kushtet në shkollën “Ismail Qemali”: Fëmijët në banka, mbeturinat nëpër klasa
TOP Momenti
Presidenca: Kryetari i ri i Kuvendit do të marrë postin e ushtruesit të detyrës së presidentit
Presidenca: Kryetari i ri i Kuvendit do të marrë postin e ushtruesit të detyrës së presidentit
TOP Momenti
Fëmija që u godit me thikë në Çair është ende në gjendje kritike
Fëmija që u godit me thikë në Çair është ende në gjendje kritike
TOP Momenti
Agjencia e inteligjencës daneze paralajmëron se Rusia po përgatit “në mënyrë aktive” akte sabotimi
Agjencia e inteligjencës daneze paralajmëron se Rusia po përgatit “në mënyrë aktive” akte sabotimi
TOP Momenti
Kompania “EnArch” LLC – njoftim për likuidim, 03.09.2026
Kompania “EnArch” LLC – njoftim për likuidim, 03.09.2026
TOP Momenti

You Might Also Like

Miliona njerëz preken nga tymi toksik i zjarreve në Azinë Juglindore
Lajme

Miliona njerëz preken nga tymi toksik i zjarreve në Azinë Juglindore

September 3, 2026
Haradinaj: Jam i bindur që çlirimtarët do t’i kemi në Kosovë
Lajme

Haradinaj: Jam i bindur që çlirimtarët do t’i kemi në Kosovë

September 3, 2026
Vdekja tragjike e Laurent Krasniqit, Daut Haradinaj: E pata bashkëpuntor një kohë, ishte njeri punëtor e i dashur me të gjithë
Lajme

Vdekja tragjike e Laurent Krasniqit, Daut Haradinaj: E pata bashkëpuntor një kohë, ishte njeri punëtor e i dashur me të gjithë

September 3, 2026
Astronomja Pranvera Hyseni përfaqëson Kosovën në konferencën e planetariumeve në SHBA
Lajme

Astronomja Pranvera Hyseni përfaqëson Kosovën në konferencën e planetariumeve në SHBA

September 3, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?