Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, në Gjenevë është organizuar një tryezë diskutimi për çështjen e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, sfidat aktuale dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së tyre.
Në tryezë morën pjesë si panelistë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, si dhe presidentja e Kopshtit të të Zhdukurve në Gjenevë, Catherine Haus.
Në hapje të aktivitetit, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe vlerësoi rëndësinë e diskutimit dhe angazhimit të përbashkët për çështjen e personave të zhdukur.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, e vendosi në qendër të fjalës së tij të drejtën e familjeve për të mësuar fatin e të afërmve të tyre.
“Edhe pas 27 vitesh, 1,564 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur nga lufta në Kosovë. Kërkimi nuk mund të ndalet me kalimin e viteve dhe çdo rast i pazgjidhur mbetet një përgjegjësi e papërfunduar”, tha Limani.
Ai kërkoi vazhdimin e kërkimeve, sigurimin e informatave të reja, hapjen e arkivave relevante nga institucionet e Serbisë, përdorimin e ekspertizës dhe teknologjisë, si dhe respektimin dhe informimin e familjeve në çdo fazë të procesit.
Ndërkaq, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, foli për zhvillimin e kornizës ligjore dhe institucionale për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Gara theksoi se procesi ndër vite ka kaluar gradualisht në përgjegjësi të institucioneve të Republikës së Kosovës, por sipas tij, ende ekzistojnë pengesa serioze.
“Procesin vazhdojnë ta kufizojnë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia, qasja e kufizuar në arkivat ushtarake dhe mungesa e informatave konkrete që mund të çojnë në lokacione të reja dhe në zgjidhjen e rasteve”, tha Gara.
Presidentja e Kopshtit të të Zhdukurve në Gjenevë, Catherine Haus, ritheksoi mbështetjen për familjet e personave të zhdukur dhe aktivitetet sensibilizuese, duke vlerësuar rëndësinë e mbajtjes së kësaj çështjeje në vëmendjen publike dhe institucionale.
Përmes një video-mesazhi, pjesëmarrësve iu drejtua edhe Grażyna Baranowska, zëvendëskryesuese e Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë.
Në emër të familjeve, Lutfi Vokshi Ademi solli zërin e familjarëve dhe foli për pritjen e tyre shumëvjeçare, por edhe për shpresën e ripërtërirë pas gjetjes së fundit të varreve masive.
“Familjet vazhdojnë të presin prej vitesh përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre. Gjetja e varreve masive ka rikthyer shpresën se kërkimet e reja mund të sjellin përgjigjet që familjet i presin prej dekadash”, u tha në këtë aktivitet.
Tryeza u përmbyll me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh, ku pjesëmarrësit patën mundësi të diskutonin me panelistët për procesin e zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.
Pas përfundimit të diskutimit, për të pranishmit u shfaq filmi “Ferdonija”, nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, me të cilin u përmbyll programi i aktivitetit.

