Bekim Sejdiu u propozua për President të vendit “nga të dyja palët”, tha sot në një postim në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai shkroi se LDK-ja dhe LVV-ja e propozuan të njëjtin emër, duke gjetur një “zgjidhje që bashkon”.
“Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Për Sejdiun, të cilin e cilësoi si “jurist të shquar” e “diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi”, Abdixhiku tha se është “i pavarur” nga secila palë dhe ka “virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit”.
Ai tha se “LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”.
LDK-ja, siç raportoi Gazeta Express pak më herët, do të mbajë nesër një mbledhje të Kryesisë së partisë, e më pas një mbledhje të Grupit Parlamentar.
The post Abdixhiku: Bekim Sejdiun e propozuam të dyja palët, LDK do ta mbështesë këtë marrëveshje appeared first on Gazeta Express.

