Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë më 1 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kundërshtuar, siç u tha, ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i Ferizajt, Agim Aliu, në një konferencë për media, tha se protesta do të mbahet në orën 11:00 dhe do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.
Sipas tij, komunat nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e ligjeve dhe kompetencave që u takojnë.
“Komunat nuk janë duke kërkuar privilegje, komunat edhe nga motoja që po e shihni, po kërkojnë atë që u takon qytetarëve të Republikës, që përfaqësohen përmes kryetarëve të komunave në nivel komunal. Pra, kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Republikës së Kosovës, si dhe të kenë trajtim të drejtë dhe institucional”, tha Aliu.
“E para, duhet ta keni parasysh që ne ka dy vite që nuk e kemi takuar kryeministrin, në cilësi të ndryshme, qoftë si kryeministër, qoftë si kryeministër në detyrë të Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti. Dhe kjo tregon qartazi atë se sa është pengesë në punën dhe angazhimet e komunave, moskrijimi i institucioneve dhe paqëndrueshmëria e institucioneve. Sigurisht se ky është hapi i parë, siç po i lidhem me pyetjen tuaj, hapi i parë i protestave, por si bord i Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, do t’i shohim edhe veprime të tjera, se çfarë do të ndërmarrim, në mënyrë që të themi edhe më zëshëm atë që është e vërtetë, dhe atë që është përballje me sfidat dhe atë që është vështirësi në kuadër të punëve dhe angazhimeve tona”, tha ai.
The post “Qe dy vjet s’jemi takuar me Kurtin”, Asociacioni i Komunave proteston më 1 shtator: Po falimentojmë appeared first on Gazeta Express.

