Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se “jemi në paqartësi të thella kushtetuese”, por se partia e tij është “e arsyeshme” dhe e ndërgjegjshme se duhet një zgjidhje.
Pas takimit të radhës me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së tha se partia më e vjetër në vend nuk është “vagon” i ndonjë subjekti tjetër politik, kur u pyet nëse me këto takime dhe pa Kuvend të konstituuar po i mundëson LVV-së që të marrë kohë për t’i çuar zgjedhjet e reja sa më pranë fundit të vitit.
“Në qoftë se dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë. LDK-ja është e LDK-së, vetëm e anëtarësisë së LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai tha se duhet bërë “përpjekje që të gjejmë zgjidhje”.
“Kosovës i duhet arsyeja dhe rezoni për stabilitet, dhe për këtë po përpiqemi. Nuk është e lehtë. Gjëja më e lehtë që ta bësh në Kosovë është të tërhiqesh dhe ta lësh vendin të shkojë në kriza të vazhdueshme pa asnjë zgjidhje”, tha ai.
The post Takimi për Presidentin, Abdixhiku tha se nuk bie në agjendë të Kurtit: LDK është e arsyeshme, s’jemi vagon i ndonjë partie appeared first on Gazeta Express.

