Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ndërsa aktgjykimi do të shpallet më 28 gusht në orën 13:00, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar që Konjufca të shpallet fajtor, duke argumentuar se gjatë procesit janë administruar prova materiale dhe personale që, sipas saj, dëshmojnë kryerjen e veprës penale.
“Në këtë çështje penale është vërtetuar fakti se në ditën kritike në sallën e Kryesisë së Kuvendit ishte hedhur gaz lotsjellës, po ashtu është vërtetuar fakti se prezent në atë sallë ka qenë i pandehuri Glauk Konjufca, fakt ky që vërtetohet edhe nga dëshmia e dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Sllobodan Petroviq dhe Valdete Bajrami. Të cilët para kësaj gjykate e kanë pohuar faktin se atë ditë ishte hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast edhe është ndërprerë mbledhja e Kryesisë. Prezent ka qenë edhe i pandehuri. Gjithashtu, në bazë të foto-albumit përmes fotografive vërtetohet vendi ku është kryer vepra penale si dhe bombola e zbrazët e cila është gjetur në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, në bazë të raportit të vendit të ngjarjes është vërtetuar se pikërisht afër të pandehurit është gjetur bombola e zbrazët dhe gjithashtu faktin se është përdorur gaz lotsjellës e ka pranuar edhe i pandehuri, i cili është marrë në pyetje nga policia dhe gjithashtu i njëjti e ka pranuar faktin se kishte përdorur gaz lotsjellës ditën kritike edhe kur është marrë në pyetje në prokurori me prezencën e mbrojtësit. Prokurori i shtetit vlerëson se i pandehuri me veprat që ka ndërmarrë është i fajshëm dhe i përgjegjshëm dhe nuk ka asnjë rrethanë që do ta lironte nga përgjegjësia penale. I propozoj gjyqtarës që të pandehurin ta shpall fajtor”, tha prokurori.
Në anën tjetër, avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka kërkuar aktgjykim lirues, duke thënë se nuk është provuar se i mbrojturi i saj e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Jemi të bindur se nuk është provuar nga provat që po administrohen në këtë shqyrtim dhe as nga provat personale, konkretisht dëshmitarët të cilët kanë dëshmuar në këtë gjykatë se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Prokurori përmendi dëshmitarët që do të dëshmohet përmes dëshmive të tyre se është provuar se i mbrojturi im ka kryer veprën, mirëpo në procesverbalet asnjëri nuk ka përmendur Konjufcën që ka hedhur gaz lotsjellës. Kur Prokuroria e Shtetit, 10 vite pas, nuk është në gjendje që ta mbrojë aktakuzën ashtu sikurse e kërkon ligji dhe tash mundohet ta zëvendësojë me foto dhe raporte të këqyrjes së vendit të ngjarjes, raporte këto që nuk e kanë statusin e provës. Ky raport në përshkrimin e tij thuhet se dyshohet se është bombol, nuk kemi një provë që mund të na bindë që ka qenë bombol, mbetet i pavërtetuar edhe vetë pretendimi i prokurorisë se a është hedhur gaz lotsjellës. Ne jemi të bindur se gjykata nuk ka se si të veprojë ndryshe përveç se të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit tim lidhur me veprën penale përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha ajo.
Konjufca, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për akuzën.
“Jam i pafajshëm dhe mbrohem në heshtje”, tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues, Edita Qanta, njoftoi se shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar dhe bëri të ditur datën e shpalljes së aktgjykimit.
“Shqyrtimi në këtë çështje penale përfundoi, shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet 28 gusht, ora 13:00”, tha ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2024, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën që i vihej në barrë, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërkaq, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, ishte refuzuar akuza.
Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin kishte përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhjeje kishte hedhur gaz lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se, si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve ishte pamundësuar nga tymi që kishte shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit ishin detyruar ta braktisnin sallën.
The post Prokuroria kërkon dënimin e Konjufcës për gazin lotsjellës, aktgjykimi më 28 gusht appeared first on Gazeta Express.

