Paris Saint-Germaini i Luis Enrique konfirmohet edhe një herë si një nga skuadrat më largpamëse dhe më të kujdesshme në “merkato”.
Dhe pak ditë para fillimit të sezonit, me datën 24 gusht tashmë të shënuar në kalendar dhe me një start jo edhe aq brilant për parizienët, ndjesitë mbeten krejtësisht të pandryshuara.
Përkundrazi, duket se po shkojnë në drejtimin e kundërt, shkruan “Gazeta Express”.
Katër afrime të reja nën Kullën Eiffel, katër lojtarë që, të paktën në letër, duken shumë më tepër se thjesht rezerva.
Profile të menduara për ta zgjeruar dhe për ta bërë edhe më të thellë rotacionin e Luis Enriques, i cili edhe këtë vit do të duhet ta menaxhojë një sezon me më shumë se 50 ndeshje.
Lucas Digne, Mika Godts, Maghnes Akliouche dhe, mbi të gjitha, goditja e madhe Ferran Torres.
Pikërisht kjo e fundit e meriton një përmendje të veçantë dhe mund të konsiderohet një kryevepër e vërtetë në tregun e futbollit.
PSG-ja e siguroi një sulmues të gjithanshëm, ideal për idetë e futbollit të Luis Enriques dhe që vjen pas një sezoni me 21 gola te Barcelona.
Heroi i finales së Kupës së Botës nuk pati nevojë as për kohë për ta lënë gjurmën e tij: në debutimin me fanellën parisiene ishte menjëherë vendimtar me një dygolësh, duke ia mundësuar skuadrës së tij ta shmangte humbjen nga Rennes.
Një “operacion” që merr edhe më shumë vlerë po të merret parasysh aspekti ekonomik, pasi klubi francez i investoi 50 milionë euro për ta sjellë Torresin në Paris, 25 milionë më pak se shuma që e mori nga shitja e Gonçalo Ramosit te Milani.
Për këtë arsye, Luis Enrique nuk u fsheh kur foli për afrimet e realizuara nga Luis Campos dhe stafi i tij.
“Të gjithë e dinë se sa e vështirë është për një skuadër të fitojë gjithmonë dhe është e qartë se duhet të përmirësohemi ende, por mendoj se e kemi bërë një ‘merkato’ shumë të mirë verore dhe jemi ende të hapur ndaj mundësive të ndryshme”, ishin fjalët e trajnerit spanjoll në përfundim të ndeshjes. /Gazeta Express
The post PSG-ia ia ka marrë dorën “pazarit’, Ferran kushtoi 25 milionë më pak se Ramos appeared first on Gazeta Express.

