Një rast tjetër i dyshuar i dhunës ndaj një të miture shfaqet në rrjete sociale.
Kësaj radhe ngjarje dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së premtes në Mitrovicë, në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, pranë parkut të qytetit.
Sipas informacioneve fillestare, një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një vajzë tjetër, rreth 18 vjeçe.
Ngjarja është filmuar, ndërsa pamjet më pas i janë dërguar një vajze tjetër, dyshohet në formë kërcënimi. Rrethanat e plota të incidentit ende nuk dihen.
Për rastin ka reaguar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila ka dënuar dhunën ndaj të miturve dhe ka kërkuar që raste të tilla të trajtohen me seriozitet.
“Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve nuk është ‘një zënkë fëmijësh’, nuk është shaka dhe nuk është diçka që duhet të heshtim përballë saj”, ka deklaruar Balje.
Ajo ka thënë se sulmi fizik ndaj një vajze tjetër përbën dhunë dhe duhet të ketë trajtim serioz dhe përgjegjësi të përshtatshme.
Deputetja ka shprehur shqetësim të veçantë për faktin se raste të tilla mund të filmohen, ndërsa pamjet përdoren më pas për tallje apo kërcënim.
“Veçanërisht shqetësuese është kur dhuna incizohet, kur i qeshin viktimës ose kur të pranishmit heshtin në vend që të ndihmojnë. Edhe ai që e shikon, e nxit ose e incizon dhunën duhet ta kuptojë peshën e veprimeve të veta”, ka shkruar Balje.
Sipas saj, rastet e dhunës mes fëmijëve nuk duhet të shihen vetëm si përgjegjësi e shkollës, por si një alarm për familjen, shoqërinë dhe institucionet.
“Kur një fëmijë ngre dorë ndaj një fëmije tjetër, nuk ka dështuar vetëm shkolla. Ky është një alarm për të gjithë ne që të pyesim veten se ku kemi gabuar – familja, shkolla, shoqëria dhe institucionet”, ka përfunduar Balje./Telegrafi/
