Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të autoriteteve turke për nisjen e procedurave për një njoftim të kuq ndërkombëtar për arrestimin e tij dhe të Afek Moskovitch. Masa e Ankarasë lidhet me hetimet për veprimet izraelite në Gaza, si dhe me ndalimin e aktivistëve të Global Sumud Flotiljes.
Netanyahu sulmoi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke e cilësuar atë si “një diktator antisemit”. Ai e akuzoi presidentin turk për represion ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, për mbështetje ndaj Hamasit dhe për ndërhyrje në rajon.
Sipas Netanyahut, Erdoğan “masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë”.
Kryeministri izraelit akuzoi gjithashtu Turqinë se po përpiqet ta zgjerojë përplasjen me Izraelin edhe në Siri. Ai tha se përpjekjet e Ankarasë për të ushtruar presion ndaj udhëheqësve dhe ushtarëve izraelitë nuk do të kenë sukses.
Nga ana tjetër, ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, deklaroi se Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të procedojë me kërkesën për një “njoftim të kuq” për arrestimin ndërkombëtar të Netanyahut dhe Moskovitch.
Autoritetet turke pretendojnë se të dy janë të dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, dëmtime të qëllimshme trupore, keqtrajtim, dëmtim të pronës, grabitje dhe sekuestrim të mjeteve të transportit.
Në qendër të kësaj çështjeje është edhe incidenti me Global Sumud Flotiljen. Në maj, rreth 430 anëtarë ekuipazhi nga 50 anije, të ndaluara nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u dërguan në Izrael. Ata u mbajtën në burgun Ktziot përpara se të deportoheshin.
Reagime të shumta ndërkombëtare shkaktoi edhe publikimi i një videoje nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku shfaqeshin disa prej aktivistëve të ndaluar të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura.
Ministri turk i Drejtësisë tha se Ankaraja nuk do të pranojë që përgjegjësit për veprimet në Gaza të mbeten të pandëshkuar. Gürlek theksoi se Turqia do të përdorë të gjitha mjetet që i lejon ligji kombëtar dhe ndërkombëtar për të ndjekur penalisht personat që, sipas autoriteteve turke, janë përgjegjës për këto veprime.
Përplasja diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë vjen në një moment tensionesh të shtuara lidhur me luftën në Gaza dhe rolin e dy vendeve në zhvillimet rajonale.

