Një pretendim i publikuar nga mediat serbe ka hapur një tjetër debat për politikën e jashtme të Beogradit. Serbia, pretendente për futje në BE dyshohet se ka qenë e vetmja që ka dërguar përfaqësues diplomatik në një pritje të organizuar në Ambasadën e Afganistanit në Nju Delhi, me rastin e pesëvjetorit të rikthimit të talebanëve në pushtet.
Sipas raportimeve të mediave të huaja dhe atyre serbe, në kryeqytetin indian është organizuar një pritje e cilësuar si “Dita e Fitores”, për të shënuar pesëvjetorin e marrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan, raporton Nova
Në mesin e të ftuarve, sipas këtyre raportimeve, ka qenë edhe një përfaqësues i Serbisë. Nëse konfirmohet, pjesëmarrja do të përbënte një zhvillim të pazakontë diplomatik, pasi pretendohet se Serbia ishte i vetmi shtet evropian i përfaqësuar në këtë aktivitet.
Megjithatë, deri në publikimin e raportimit nuk është bërë e ditur se kush ishte diplomati serb që dyshohet se mori pjesë në pritje dhe në çfarë niveli u përfaqësua Serbia. Po ashtu, nuk është publikuar ndonjë fotografi zyrtare që do ta konfirmonte pjesëmarrjen.
Sipas raportimeve, në aktivitet kanë qenë të pranishëm përfaqësues diplomatikë nga Rusia, Kina, Irani, Palestina, Butani, Eritrea, Uzbekistani, Kazakistani, Nigeri, Katari dhe Omani, ndërsa nuk raportohet për pjesëmarrje të përfaqësuesve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Raportimet kanë shkaktuar reagime të forta nga opozita serbe.
Nënkryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Borko Stefanoviq, e ka cilësuar këtë si një tjetër tregues të drejtimit të politikës së jashtme të qeverisë së Aleksandar Vuçiqit.
Ai ka pretenduar se pushteti serb po e dërgon vendin drejt izolimit, duke ironizuar me deklaratat e vazhdueshme të Beogradit për partneritetet strategjike me Perëndimin dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Me talebanët drejt izolimit dhe turpit”, ishte mesazhi i tij.
Edhe lideri i partisë Serbia Qendër (SRCE), Zdravko Ponoš, reagoi duke ironizuar pretendimet e Beogradit për harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së.
“Po e ‘harmonizojmë’ politikën e jashtme me BE-në”, ishte në thelb reagimi i tij, duke iu referuar pjesëmarrjes së pretenduar të Serbisë në aktivitet.
Pikëpyetjet janë shtuar edhe më shumë për shkak të mungesës së një reagimi zyrtar nga institucionet serbe.
Mediat serbe thonë se i janë drejtuar me pyetje Ambasadës së Serbisë në Nju Delhi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke kërkuar sqarime nëse përfaqësuesi serb ka marrë pjesë në pritje, në çfarë niveli është përfaqësuar vendi dhe cilat kanë qenë arsyet diplomatike për pjesëmarrjen.
Deri në publikimin e raportimit, nuk kishte ardhur as konfirmim dhe as mohim nga autoritetet serbe.
The post Serbia krah talebanëve? Beogradi dyshohet se dërgoi diplomat në festën e rikthimit të tyre në pushtet appeared first on Gazeta Express.

