Javë më parë, autoritetet serbe kanë arrestuar një serb nga Kosova, nën akuzat se ky i fundit ka ndihmuar autoritetet kosovare me informacione të ndryshme, deri në zbulimin e varrezës masive të zbuluar në Zubin Potok.
Lidhur me këtë, sot është deklaruar ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, përcjell Gazeta Express.
Ky i fundit tha se, ‘’nuk është e udhës’’ që të flitet për personin në fjalë dhe të komentohet roli i tij, meqë ai është nën arrest në Serbi.
‘’Duke qenë se ky person ndodhet nën arrest në Serbi, nuk besoj se do të ishte e udhës të komentojmë rolin e tij në çfarëdo kapaciteti në zbulimin e këtyre varrezave masive. Prandaj besoj se duhet t’i lihet kohës që edhe disa informata të cilat patjetër edhe Policia e Kosovës, edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë i ka në dispozicion pastaj të bëhen publike’’, ka thënë Sveçla.
Për këtë rast, është deklaruar edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, i cili tha se, sipas informacioneve që ai ka, serbi i arrestuar, nuk ka lidhje me rastin e zbulimit të varrezës masive në Zubin Potok.
‘’Bazuar në informacionet që unë kam pranuar nga drejtorë të policisë së Kosovës, personi në fjalë nuk ka asnjë lidhje me rastin e hetimit që kemi zhvilluar dhe jemi duke zhvilluar në pjesën e Zubin Potokut. A ndërlidhet me çështje tjera, nuk kam informacion. Por për rastin në fjalë, është totalisht një informacion i rremë’’, ka thënë ai.
Ndryshe serbi R.T, (1980) nga Istogu i Kosovës, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit.
Sipas raportimeve të mediave, R.T. dyshohet se për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me AKI’në, dhe se, ai ka mbledhur dhe ka dorëzuar të dhëna dhe informacione mbi aktivitetet e pjesëtarëve të dikurshëm dhe aktualë të Ushtrisë së Serbisë, MPB-së të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së shtetit serb.
The post Serbi i arrestuar në Serbi për spiunazh, Sveçla s’e komenton rolin e tij, Hoxha: S’ka lidhje me varrezën në Zubin Potok appeared first on Gazeta Express.

