Numri i të rinjve që nuk mund të gjejnë punë ose një vend për të mësuar një zanat në Gjermani është në rritje. Në të njëjtën kohë vendi ka nevojë për punëtorë të kualifikuar.
Pothuajse çdo i dhjeti i të rinjve të moshës 20 deri në 24 vjeç në Gjermani është i papunë ose nuk ka ndonjë vend për përgatitje profesionale apo ndonjë zanat. Këto janë të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, të cilat bazohen në një krahasim me të dhënat e zyrës statistikore evropiane Eurostat.
Përqindja e të rinjve të papunë në grupmoshën e përmendur është rritur nga 8.8 përqind në vitin 2022 në dhjetë përqind sa është aktualisht.
Arsyet për këtë trend negativ janë të ndryshme. Disa prej tyre janë të natyrës shëndetësore, ndërsa të tjerët nuk kanë një punë sepse ende presin për një vend në një universitet ose në një kompani për të filluar të mësojnë një zanat.
Perspektivë e pasigurt
Instituti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale (WSI) i Fondacionit Hans Böckler e vlerësoi këtë zhvillim shoqëror në Gjermani si “shqetësues”. Për të rinjtë që e gjejnë veten në këtë situatë, kjo do të thotë “perspektiva të pasigurta për të ardhmen dhe me shumë mundësi një rrugë të vështirë drejt jetës së biznesit”, tha drejtoresha e WSI-së, Bettina Kohlrausch. “Për tregun gjerman të punës, kjo do të thotë se po humbet staf i rëndësishëm profesional.”
Kohlrausch shton se është shumë e nevojshme të ofrohen mundësi të mira për të mësuar zanate dhe mbështetje të mëtejshme në mënyrë që të rinjtë të gjejnë një rrugë drejt një pozicioni në kompani dhe më pas të kalojnë me sukses në tregun e punës.
Rumania me statistikat më të këqija
Megjithatë ky trend negativ gjerman është më i ulët në krahasim me mesataren e BE-së, e cila është 12.9 përqind. Holanda ka shkallën më të ulët të të rinjve të papunë të moshës 20 deri në 24 vjeç me vetëm 5.6 përqind. Pas saj vjen Suedia me 7.3 përqind dhe Republika Çeke me 7.6 përqind.
Përqindja më e lartë e të rinjve të papunë të kësaj grupmoshe është regjistruar në Rumani me 22.8 përqind. Si në Bullgari (17.3 përqind) ashtu edhe në Francë (16.2 përqind), një numër i madh i të rinjve nuk kanë një punë ose një vend për të mësuar ndonjë zanat. Aktualisht nuk ka të dhëna për Luksemburgun.
Në Gjermani, si në mesataren e BE-së, vajzat dhe gratë janë më të prekura nga papunësia. Një pamje e ndryshme shfaqet kur bëhet fjalë për ndryshimin midis qytetit dhe fshatit. Në Gjermani, të rinjtë në qytet janë më shpesh të papunë sesa në fshat, ndërsa mesatarisht në Bashkimin Evropian, të rinjtë në qytet kanë më shumë gjasa të kenë një punë sesa ata në fshat. /DW
The post Gjermani: Gjithnjë e më shumë të rinj pa punë dhe pa zanat appeared first on Gazeta Express.

