Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit me inicialet M.D., i cili është shpallur fajtor për tri vepra penale: “Dhuna në familje”, “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Blerina Kurtaj i ka shqiptuar M.D. dënim unik prej 1 viti e 3 muaj burgim, si dhe 500 euro gjobë.
Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 17 shkurti 2026.
Sipas rastit të trajtuar nga gjykata, M.D. akuzohej se kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, R.D., në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, duke mos respektuar edhe urdhrin për mbrojtje.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me ushqimet, i pandehuri e kishte ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht nënën e tij. Ai dyshohet se kishte hedhur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore dhe kishte tentuar ta kapte për ta goditur.
Nga frika, e dëmtuara ishte mbyllur në një dhomë dhe kishte njoftuar Policinë.
Megjithatë, sipas aktakuzës, veprimet e dhunshme ishin përsëritur edhe më pas, pavarësisht urdhrit për mbrojtje.
Më 17 shkurt 2026, rreth orës 12:00, pas një konflikti tjetër, M.D. dyshohet se e kishte sulmuar sërish nënën e tij, duke e goditur me shuplaka dhe duke e shtyrë, me ç’rast ajo ishte rrëzuar mbi tavolinë dhe kishte lënduar dorën e majtë.
Sipas aktakuzës, kur e dëmtuara kishte kërkuar ndihmë për t’u ngritur për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, i pandehuri e kishte goditur me shkelm në trup.
Më pas, ai dyshohet se kishte marrë një hekur që përdoret për ndezjen e prushit dhe e kishte kërcënuar me fjalët: “Të ka ardhur momenti i fundit”.
Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Telegrafi/

