Policia e ka arrestuar pas mesnate një person në Gjakovë për “dhënie ryshfeti”.
Policia tha se ai kishte kryer kundërvajtje në trafik dhe gjatë kontrollit, kishte tentuar t’ua jepte policëve 50 euro.
“Policia e Kosovës konkretisht, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, pas pranimit te informatave relevante nga Stacioni policor në Gjakovë ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimin për një rast “dhënie ryshfeti”. Rreth orës 03:20, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, një person i dyshuar se kishte kryer kundërvajtje në trafik, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë ka tentuar t’u japë një kartëmonedhë prej 50 eurosh, me qëllim shmangien e shqiptimit të masës për kundërvajtjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia tha se “pavarësisht paralajmërimit të zyrtarëve policorë se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, i dyshuari ka insistuar në dhënien e parave me ç’rast është arrestuar”.
Ai është ndaluar për 48 orë.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i PTH-së në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë. Kartëmonedha prej 50 eurosh është sekuestruar si provë, ndërsa rasti do t’i përcillet Prokurorisë për procedim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Policia e Kosovës rikonfirmon se korrupsioni dhe ryshfeti janë të kundërligjshme dhe se zyrtarët policorë, në përmbushje të detyrave të tyre, do të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme ndaj çdo tentative për ndikim të paligjshëm. Rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente”, thotë Policia.
The post Arrestohet një person në Gjakovë pasi insistoi t’i korruptonte policët me 50 euro appeared first on Gazeta Express.

