Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë për situatën në të cilën sipas tij ndodhen komunat e Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani ka thënë se komunat po përballen me pengesa të mëdha, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe për shkak të presionit nga niveli qendror.
“Niveli qendror praktikisht po i falimenton komunat. Komunat e Kosovës po përballen me pengesa të pashembullta. Jo vetëm në aspektin financiar, komunat janë nën një presion të paparë nga Qeveria qendrore”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po vepron në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
“Në kundërshtim të plotë me Ligjin për VetëQeverisje Lokale, Qeveria e pamandat po i sakaton komunat”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka kritikuar edhe moskonstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar atë si një tjetër bllokadë institucionale.
“Mos-konstituimi i Kuvendit është bllokadë e re e shtetit nga Vetëvendosje”, ka shkruar deputeti i AAK-së.
Sipas tij, situata është përshkallëzuar në disa nivele, pasi mungesa e funksionalitetit të Kuvendit po pamundëson edhe trajtimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejt komunat.
“Sot do të duhej të ishim duke debatuar në Kuvend për këtë bllokim të komunave. Por, bllokada është bërë disa shtresore tashmë”, ka përfunduar Ramadani. /Telegrafi/
