Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe të hënën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët e PDK-së po kërkojnë që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e seancës dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Aksioni i kësaj partie vjen pas disa ditësh përpjekjesh për të ushtruar presion për rifillimin e seancës, e cila mbeti e papërfunduar pas dështimit për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht që seanca e ndërprerë të vazhdojë, ndërsa PDK-ja i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare kryesuesit Avni Dehari për caktimin e datës së vazhdimit të saj.

