Nxehtësia ekstreme mund t’u kushtojë ekonomive të Bashkimit Europian rreth 180 miliardë euro këtë vit, një shumë e barabartë me afërsisht 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të bllokut dhe pothuajse sa e gjithë rritja ekonomike që BE priste të realizonte në vitin 2026. Ndër ekonomitë e mëdha, Franca pritet të pësojë goditjen më të fortë.
Vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë Europën këtë verë rrezikon të fshijë praktikisht një vit të tërë rritjeje ekonomike, sipas një analize të publikuar nga Triodos Bank.
Vlerësimi parashikon se dëmet nga temperaturat ekstreme dhe zjarret do të arrijnë në total 180 miliardë euro gjatë vitit 2026, ose rreth 1% të PBB-së së BE-së. Duke qenë se rritja ekonomike e bllokut pritej të ishte rreth 1.1% këtë vit, një goditje e tillë do ta çonte ekonominë europiane pranë stagnimit.
Sipas bankës, dëmi ekonomik vjen kryesisht përmes katër kanaleve, tre prej të cilëve janë përllogaritur si mesatare për BE-në.
Rënia e rendimenteve bujqësore dhe e prodhimit të qumështit, së bashku me rritjen pasuese të çmimeve të ushqimeve, pritet t’i kushtojë ekonomisë rreth 0.15% të PBB-së.
Kufizimet në prodhimin e energjisë bërthamore, hidrike dhe termike, ulja e eficiencës së paneleve diellore dhe rritja e çmimeve të energjisë në tregun me shumicë shtojnë një tjetër goditje prej 0.12–0.15% të PBB-së.
Ndërprerjet dhe kufizimet në transportin hekurudhor, rrugor dhe në rrugët ujore pritet të kushtojnë edhe rreth 0.15% të PBB-së.
Por efekti më i madh, dhe njëkohësisht më i vështiri për t’u matur, lidhet me rënien e produktivitetit të punës.
Produktiviteti për punonjës fillon të ulet kur temperaturat kalojnë afërsisht 25–30 gradë Celsius, me humbjet më të mëdha në punët në ambiente të hapura dhe në profesionet që kërkojnë aktivitet fizik. Por edhe puna në zyra ndikohet, ndër të tjera për shkak se temperaturat e larta përkeqësojnë gjumin dhe aftësitë njohëse.
Një analizë ndërkombëtare e Allianz, e cituar në studim, vlerëson se për çdo gradë mbi 30°C, kur temperaturat e larta zgjasin për disa ditë, prodhimi për orë pune bie me rreth 3%.
Franca, më e goditura
Rezultatet nuk përbëjnë thjesht një renditje të vendeve më të nxehta.
Triodos vlerëson secilën ekonomi sipas peshës që kanë sektorët më të ekspozuar ndaj nxehtësisë, kohës që punonjësit kalojnë duke udhëtuar drejt punës, përhapjes së kondicionerëve, nivelit të përshtatjes së popullsisë me temperaturat e larta dhe numrit të ditëve jashtëzakonisht të nxehta të regjistruara këtë vit.
Nga kjo analizë, Franca rezulton vendi më i goditur, me një humbje të vlerësuar prej 1.4 pikë përqindjeje të rritjes ekonomike. Kjo do të mjaftonte për ta çuar ekonominë franceze në një tkurrje prej rreth 0.6%, nisur edhe nga një bazë tashmë e dobët.
Holanda pritet të humbasë rreth 0.8 pikë përqindjeje, duke mbetur pothuajse pa rritje.
Spanja dhe Italia kanë fuqinë punëtore më të ekspozuar dhe kanë regjistruar numrin më të madh të ditëve të nxehta, por dekada të tëra përshtatjeje ndaj temperaturave të larta e zbusin disi ndikimin e secilës valë të nxehti.
Polonia, nga ana tjetër, ka përdorim të ulët të kondicionerëve dhe nivel të kufizuar përshtatjeje ndaj vapës, çka e bën potencialisht shumë të ndjeshme. Megjithatë, vera më e freskët e këtij viti pritet t’i lejojë ekonomisë polake të rritet me rreth 2.9%.
Kosto që nuk shfaqen në PBB
Kostoja njerëzore e vapës mbetet kryesisht jashtë këtyre përllogaritjeve ekonomike.
Vetëm gjatë valës së të nxehtit të qershorit, në Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali vlerësohet se kanë ndodhur rreth 20,400 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.
Nëse llogariten afërsisht 25 mijë vdekjet e lidhura me vapën gjatë gjithë verës në bazë të viteve të jetës së humbur, kostoja ekonomike vlerësohet mes 1.5 dhe 7 miliardë eurove.
Edhe zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha. Deri javën e kaluar, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje, në BE ishin djegur mbi 490 mijë hektarë, krahasuar me një mesatare 20-vjeçare prej 197 mijë hektarësh. Franca ka shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Humbja e shërbimeve të ekosistemit nga sipërfaqet e djegura mund të shtojë një kosto tjetër prej 100 milionë deri në 4.6 miliardë euro.
Sipas analizës, masat e përshtatjes ndaj klimës mund të ulin humbjet e produktivitetit me rreth 40%, por nuk mund t’i eliminojnë ato.
Autorët theksojnë gjithashtu se përllogaritjet janë bërë mbi supozime relativisht konservatore.
Triodos argumenton se vetëm përshtatja nuk mjafton dhe se Europa ka nevojë për masa më të forta për reduktimin e emetimeve. Banka e konsideron lëvizjen e Komisionit Europian të 17 korrikut për të zbutur trajektoren e skemës kryesore të çmimit të karbonit si një hap në drejtim të kundërt./ Euronews
The post Vera përvëluese në Europë mund t’u kushtojë ekonomive të BE-së 180 miliardë euro appeared first on Gazeta Express.

