Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, i cili e kryeson seancën konstituive të Kuvendit që s’po përfundon dhe së fundmi as s’po vazhdon, e ka marrë përsipër keqinterpretimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të arsyetuar moskonstituimin e Kuvendit.
Gazeta Express
Me kërkesë të shefit të tij në parti, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën konstituive të Kuvendit dy herë radhazi.
Nga e shtuna, ai nuk e ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive më së largy 48 orë nga ndërprerja e saj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do ta bëjë këtë pa një marrëveshje për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë pasi të konstituohet Kuvendi.
Dehari sot citoi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit të vitit të kaluar, si justifikim për moskonstituimin e Kuvendit.
“Vitin e kaluar, me 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda afatit 30-ditor, me afatin qe fillonte të rridhte që nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25. Kjo nënkuptonte që sipas aktgjykimit KO124/25, Kuvendi do duhej të konstituohej më së largu me 26 korrik 2025. Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri me datën 26 korrik 2025”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Dehari tha se vitin e kaluar “asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati”.
“Kurse nga vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, u kërkohej palëve të vazhdonin tentativat për konstituim pavarësisht tejkalimit të afatit, sepse nevoja për ta konstituuar Kuvendin i mbivendoset afatit”, shkroi ai.
Ai thotë tani se nuk mund të thërrasë “seanca shterpe”, të cilat “vetëm sa i irritojnë qytetarët”.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, shkroi ai.
LVV-ja, së bashku me deputetë të minoriteteve, i ka votat e mjaftueshme për ta konstituuar Kuvendin, por ka refuzuar ta propozojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar.
Sipas aktgjykimit që e citoi Dehari, Gjykata Kushtetuese thekson se se “struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe plotësojë themelin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre. Kësisoj, të gjitha veprimet që ndërmerren nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar”.
Më tej, Gjykata konstaton se seanca e filluar atëherë më 15 prill të vitit të kaluar nuk kishte përfunduar, dhe për këtë shkak, kishte dhënë 30 ditë afat.
“Gjykata konstatoi që Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025 si rezultat i mospajtimeve të Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është akt kushtetues dhe duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmbushja e të cilave elementeve të kushtetutës, e cila pas dhënies së betimit të deputetëve duhet të finalizohet me zgjedhjen e Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve sipas paragrafëve 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe e Nënkryetarëve] të Kushtetutës”, thuhet në atë aktgjykim.

Për këto arsye, Kushtetuesja kishte vendosur se seanca konstituive, ku nuk zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët, “nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, urdhëronte Kushtetuesja.

The post Dehari keqinterpreton aktgjykimin për të mos e vazhduar senacën konstituive, afati 30-ditor i duket jorelevant – çka thotë Kushtetuesja? appeared first on Gazeta Express.

