Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim senatoren amerikane Joni Ernst, një nga zërat më të angazhuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.
Gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri në detyrë e ka informuar senatoren amerikane për, siç është thënë në njoftim, progresin e shënuar nga Kosova në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.
Një nga temat e diskutuara ka qenë edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë. Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë se Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në një prani të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Sipas Kurtit, një prani e tillë do të shërbente si garantuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.
Në takim është diskutuar edhe situata politike në Kosovë. Kurti dhe senatorja Ernst kanë biseduar për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve ndërmjet partive politike parlamentare, me synim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Takimi është zhvilluar në kuadër të vizitës së senatores Ernst në Kosovë dhe kontakteve të saj me përfaqësues të institucioneve kosovare.
