Dy persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, pas një bastisjeje të Policisë së Kosovës në një lokal në Deçan, nën dyshimet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, si dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit të Policisë, rasti është raportuar të shtunën rreth orës 22:30, pasi dyshohej se në një shitore, pronë e një të dyshuari, po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme.
“Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në lokal ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një kuti me çipa të lojërave të pokerit, një armë automatike, dhjetë fishekë dhe një çantë dore me një brisk dhe një faturë”, thuhet në raportin policor.
Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e ka iniciuar rastin për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

