Ka mbi 3 vjet që pozita e sekretarit të Kuvendit ka mbetur me ushtrues detyre.
Ky post nuk u plotësua më, pas pensionimit të ish-sekretarit Ismet Krasniqi në qershor të 2023-tës.
38 muaj pas, më 3 korrik të këtij viti, Kuvendi shpalli për të dytën herë konkurs.
I njëjti u mbyll rreth një javë më parë, të shtunën e 1 gushtit.
Në mesin e aplikantëve për këtë pozitë është edhe Taulant Bajrami.
Anipse në garën e hapur edhe në muajin prill ai thotë se i kaloi të gjitha filtrat bashkë me Arben Loshin, konkursi ishte anuluar dhe ishte kthyer në pikën zero.
I indinjuar që atëherë vazhdon të jetë akoma Bajrami.
“Unë asnjëherë se kam pas si kërkesë që me u zgjedh unë por vetëm pse nuk është zgjedhur ndonjëri prej kandidatëve fitues e ashtu e përcakton edhe rregullorja e punës së kuvendit e edhe procedura e brendshme megjithatë kur kjo përpjekje dështoi me pretekstin për shkak të vonesave të shkaktuara të kohës së emërimit kryesia në mënyrë arbitrare ka vendos që asnjeri prej kandidatëve të mos emërohet dhe të anulohet ky konkurs dhe e kanë rishpallur konkursin e ri”, tha Taulant Bajrami, konkurrent për sekretar të Kuvendit.
E në konkursin tashmë të mbyllur, Bajrami thotë se nuk ka fare pritshmëri.
“…praktikisht pritjet e mia janë që ky konkurs sërish të dështojë, por në anën profesionale unë e kam ndje si obligim që mos të demoralizojë edhe pjesën tjetër të profesionistëve që pavarërsisht niveleve politike ta kenë mundësinë që me kandidu në konkurset që janë të radhës. Megjithatë pritjet e mia janë që edhe ky konkurs të jetë i dështum për shkak të strukturës politike që është aktualisht”, theksoi Bajrami.
Pas pensionimit të Ismet Krasniqit më 5 qershor 2023, vendin e tij e kishte zënë Arben Loshi, por që në mars të 2026-tës ishte shkarkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Më pas, në vend të tij ishte caktuar Xheladin Hoxha, i cili së fundmi u zëvendësua nga Feride Podvorica, që aktualisht ushtron detyrën e sekretares së përgjithshme të Kuvendit.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Kuvendin e Kosovës se kur pritet të publikohen rezultatet e konkursit, por të njëjtit nuk kanë kthyer një përgjigje.

