Andin Hoti nga LVV’ja, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka kritikuar partitë e tjera për situatën politike.
Hoti në postimin e tij, thotë se sipas tij, PDK e Aleanca, të cilës Hoti i referohet ende si AAK, e kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, ‘’por jo për popullin dhe Kosovën’’.
Në postimin e tij, Hoti, e cilëson lojë të shëmtuar qëndrimin e Aleancës, ndërsa për PDK thotë se ‘’dashuria ndaj shtetit për ta’’ mbaron në qëndrimin e kësaj partie.
‘’ Ndërkaq LDK-ja, në vend që rezultatin zgjedhor ta lexojë siç është, po tenton që votën e qytetarëve ta shndërrojë në monedhë për pazare të brendshme. Po kërkon që apetitet dhe problemet e veta të brendshme t’i qetësojë me pozita institucionale të cilat qytetari nuk ia ka dhënë me votë.’’, ka shkruar Hoti mes tjerash.
Në postimin e Hotit, ka komentuar Blerta Deliu, e cila e ka pyetur Hotin se, ‘’a je ti’’.
Postimi:
Kjo që po ndodh në Kosovë nuk është më vetëm papërgjegjësi politike. Është përbuzje ndaj vullnetit të qytetarëve.
PDK dhe AAK kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, por jo për popullin dhe Kosovën: t’i çojnë duart lart, të tërhiqen nga çdo bisedim dhe pastaj, nga distanca, të tregojnë me gisht të tjerët.
Por, po harrojnë që liderët e partive politike nuk janë ‘drejtorë të kompanive të kërpudhave’. Udhëheqin parti që kanë marrë votën e qytetarëve dhe mandate në Kuvendin e Republikës. Kanë përgjegjësi politike, demokratike e institucionale të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për krijimin e institucioneve të vendit.
PDK-ja thotë: ne nuk lëvizim asnjë hap, pikë. Dhe këtu mbaron edhe ‘dashuria ndaj shtetit për ta’
AAK-ja, ndërkaq, ka zgjedhur një lojë të shëmtuar. Vendos kushte dhe i ambalazhon si sakrificë për qytetarin, sikur papritur aty qenka shpëtimi i Kosovës. Harrojnë se kanë qenë dhjetëra herë pjesë e pushtetit dhe shumë prej këtyre “kauzave jetike” nuk i kanë pasur as prioritet politik, as plan serioz e aq më pak zbatim kur vetë kanë qeverisur.
Tani, pasi Albin Kurti ka udhëhequr një qeverisje që ka forcuar sovranitetin e vendit dhe ka avancuar Kosovën në shumë fusha, dalin me lojëra të ulëta politike dhe përpiqen t’i shiten qytetarit si shpëtimtarë.
E neveritshme!
Ndërkaq LDK-ja, në vend që rezultatin zgjedhor ta lexojë siç është, po tenton që votën e qytetarëve ta shndërrojë në monedhë për pazare të brendshme. Po kërkon që apetitet dhe problemet e veta të brendshme t’i qetësojë me pozita institucionale të cilat qytetari nuk ia ka dhënë me votë.
Jo!
Demokracia nuk funksionon kështu.
Zgjedhjet e fundit, sikurse edhe dy palë zgjedhje para tyre, kanë dhënë një mesazh politik që nuk mund të fshihet me negociata pas dyerve të mbyllura: qytetarët kanë treguar qartë se kujt ia besojnë barrën kryesore të qeverisjes.
Vullneti i popullit nuk tregtohet!
Nuk mund të humbësh në zgjedhje dhe pastaj të kërkosh në tavolinë atë që qytetarët nuk ta dhanë në kuti të votimit.
Dhe sot, për shkak të interesave partiake, personale e kalkulimeve të vogla politike, po mbahet peng funksionalizimi i institucioneve dhe vullneti i qytetarëve.
Pastaj çuditshëm, e marrin guximin të pyesin: “Pse nuk po formohen institucionet?”
Sepse disa kanë vendosur se është më e rëndësishme ta bllokojnë Albin Kurtin sesa ta zhbllokojnë Kosovën.
Sepse për disa, duket se çdo rezultat është i pranueshëm, përveç rezultatit që e ka dhënë populli.
Kjo nuk është opozitarizëm.
Kjo është marrëzi politike.
Kosova nuk është pronë e asnjë partie. As institucionet nuk janë plaçkë për t’u ndarë deri sa secili të kënaqë apetitet e veta.
Secili duhet ta marrë përgjegjësinë që ia ka dhënë vota.
As më shumë, as më pak.

The post ‘‘E neveritshme, lojë e shëmtuar’’, Andin Hoti i sulet PDK, LDK e Aleancës me kritika me gjuhën e VV’së, Deliu e pyet ‘‘a je ti?’’ appeared first on Gazeta Express.

