Ministrja në detyrë dhe deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të Kosovës nuk duhet të jetë rezultat vetëm i vullnetit të një partie apo i shumicës parlamentare.
Pacolli thotë se posti i Presidentit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar se presidenti është i Republikës dhe jo i një partie politike.
“Propozimi i kandidatit duhet të jetë rezultat i një dialogu serioz politik, ku shumica dhe opozita parlamentare duhet të ulen në një tavolinë dhe të kërkojnë emrin që mund të kapërcejë interesat e ngushta partiake”, shkruan ajo.
Pacolli ka vlerësuar se opozita nuk duhet ta shohë këtë proces vetëm si mundësi për të bllokuar shumicën, por si përgjegjësi për të kontribuar në ndërtimin e një konsensusi institucional.
Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet një president që gëzon legjitimitet të gjerë dhe që buron nga një marrëveshje politike, duke shtuar se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha forcave politike.
“Në fund, nuk është çështja vetëm kush do të zgjidhet president, por si do të zgjidhet dhe çfarë legjitimiteti do të ketë ai president. Tani është koha që opozita të tregojë nëse është opozitë e Republikës apo opozitë e bllokadave”, ka shkruar Pacolli.
The post Pacolli: Për presidentin nuk mjaftojnë vetëm votat e shumicës appeared first on Gazeta Express.

