Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka përsëritur qëndrimin zyrtar të Beogradit ndaj Kosovës, duke kundërshtuar publikisht një deputet të opozitës që gjatë një fjalimi iu referua Kosovës si “fqinj”.
Debati u zhvillua në seancën e Kuvendit të Serbisë, pasi deputeti i “Frontit të Gjelbër”, Dobrica Veselinoviq, duke folur për sfidat me të cilat përballet Serbia dhe marrëdhëniet rajonale, përdori termin “fqinjët tanë”, duke përfshirë edhe Kosovën.
Menjëherë pas përfundimit të fjalimit, Brnabiq reagoi duke theksuar se ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit të Serbisë dhe përsëriti narrativën shtetërore të Beogradit, sipas së cilës Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.
“Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, këta nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Krahinë Autonome e Kosovës. Ky mund të jetë qëndrimi juaj dhe qartazi është qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë”, deklaroi Brnabiq.
Reagimi i saj vjen në vazhdën e deklaratave të vazhdueshme të zyrtarëve serbë, të cilët refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, pavarësisht se ajo ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga një numër i madh shtetesh.
Deklarata e Brnabiq nxori në pah edhe dallimet në qasjen ndaj Kosovës brenda skenës politike serbe, pasi deputeti Veselinoviq përdori një terminologji që nënkupton trajtimin e Kosovës si subjekt të veçantë në marrëdhëniet rajonale, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i institucioneve të Serbisë./Telegrafi.

