Në Kuvend sot pritet të mbahet takim tjetër mes koordinatorëve dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare të partive, mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së pret që qëndrimet e LSDM-së dhe BDI-së në lidhje me propozimin e tyre për votim me postë për diasporën, dhe e gjithë procedura të rregullohen me një akt nënligjor në një seancë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) jo më vonë se 30 shtatori 2028. Ata janë të gatshëm, siç deklarojnë, të pranojnë një njësi zgjedhore.
Ndërkohë, “E Majta” ka kërkuar që financimi shtetëror për reklamat zgjedhore për partitë me grupe parlamentare të jetë 10 përqind dhe vendimmarrja në KSHZ të jetë konsensuale, gjë që është e papranueshme për OBRM-PDUKM-në.
Në ndryshimet në Kodin Zgjedhor që janë në procedurë parlamentare dhe për të cilat tani janë paraqitur rreth 13,500 amendamente nga LSDM dhe “E Majta”, më i diskutueshmi ishte propozimi për votim elektronik nga diaspora. LSDM e hodhi poshtë menjëherë këtë propozim, dhe partia thekson se nuk është kundër votimit të diasporës, duke shtuar se ajo ende ka mundësi të votojë, por se është kundër një metode votimi që nuk ofron siguri, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit zgjedhor.
Për “Të Majtën”, propozimi për votim elektronik nga diaspora ishte i pranueshëm në kurriz të rritjes së përqindjes për reklamat politike të paguara për zgjedhjet.
Pjesëmarrësit në grupin e punës për Kodin Zgjedhor për financimin buxhetor të partive për zgjedhjet pranuan propozimin e BDI-së dhe “Të Majtës” që raporti i numrit të deputetëve të jetë një kriter objektiv për përdorimin e 97% të këtyre fondeve, dhe 3% të jetë në dispozicion të partive që nuk kanë deputetë në Parlament. Prandaj, 42% do t’u shkonte dy partive më të mëdha në pushtet, 42% dy partive më të mëdha të opozitës, 8% partive me grupe parlamentare, 5% partive pa grupe parlamentare dhe 3% partive dhe grupeve të votuesve jashtëparlamentarë.
Nëse arrihet një marrëveshje në Kuvend për Kodin Zgjedhor, atëherë LSDM dhe “E Majta” do të tërheqin amendamentet dhe procesi do të zhbllokohet. Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor janë pikat e fundit nga dhjetë pikat në periudhën grejs për vendin tonë në kontekstin e proceseve të reformës.

