Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ajo, “fushatës së koordinuar të shpifjeve” nga disa portale, duke mbrojtur reformat e ndërmarra gjatë mandatit të saj në sektorin e tregtimit të produkteve të naftës.
Përmes një postimi publik më “Facebook”, Hajdari ka thënë se sulmet ndaj reformave vijnë nga grupe që, sipas saj, kanë përfituar për vite me radhë nga mungesa e kontrollit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore.
Sipas Hajdarit, pretendimet se janë larguar trupat inspektuese nuk qëndrojnë, pasi produktet e importuara vazhdojnë të kontrollohen nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit të autorizuar.
Ajo shtoi se testimi i cilësisë realizohet në laboratorin shtetëror të Doganës së Kosovës, të cilin e cilësoi si laborator modern dhe të akredituar.
“Faktet kundër shpifjeve të ulëta, janë të qarta. Pretendimet e publikuara nga disa portale për kinse “largimin e trupave inspektuese” nuk qëndrojnë. Sepse, e vërteta është plotësisht ndryshe: Sot, produktet e importuara të naftës, janë të kontrolluara nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi i këtyre produkteve të naftës nga importi në hyrje në Kosovë, vazhdon të kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit (TVK), të autorizuara sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa për tregun e mbrendshëm të produkteve të naftës, mostrat për testim të këtyre produkteve, merren nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut” u shpreh ndër të tjera Rozeta Hajdari.
Ajo u shpreh se reformat nuk do të ndalen.
Reformat në treg dhe sundimi i ligjit nuk ndalen nga shpifjet e atyre që mbrojnë monopolet e vjetra korruptive. Ditët e fundit kemi parë një fushatë të koordinuar shpifjesh nga portale që po përpiqen të mbrojnë interesat e grupeve të caktuara, duke keqinformuar opinionin publik për reformat ligjore që i sollëm përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë qeverisjes Kurti 2, të cilat rikthyen kontrollin dhe testimin e cilësisë së produkteve të naftës në përputhje me standardet më të larta të cilësisë. Këto sulme nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pikërisht sepse reformat tona që i sollëm po godasin interesat e atyre që për vite kanë përfituar nga mungesa e rregullit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore. ,Këto praktika kanë sjellë fitime të paligjshme dhe kanë krijuar skema monopoliste që, në thelb, kishin privatizuar funksione jetike të shtetit.Me miratimin e Ligjit Nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, që ishte për më shumë se 10 vite në pritje për miratim, kemi vendosur themelet e një tregu të rregulluar, transparent dhe konkurrues. Për herë të parë janë vendosur standarde të qarta për të gjithë zinxhirin e furnizimit – nga importi deri te shitja – në përputhje me standardet evropiane. Një nga ndryshimet ligjore më të rëndësishme në këtë drejtim, është edhe Udhëzimi Administrativ (QRK) Nr. 05/2025, për mënyrën e emërimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit, i cili i dha fund praktikës së analizave të kryera me standarde të paunifikuara dhe me kosto të larta për bizneset”, shkroi Hajdari.

