Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim për pasojat financiare që, sipas tij, do t’i përballin komunat pas ndryshimit të mënyrës së financimit të Grantit të Arsimit.
Sipas AKK-së, komunave po u shtohet një barrë e re financiare prej mbi 24 milionë eurosh, e cila vjen krahas kostove të Kontratës Kolektive, reduktimit të Grantit të Performancës dhe rreth 60 milionë eurove që, sipas asociacionit, vetëm gjatë këtij viti u janë marrë komunave përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.
Nga ky asociacion paralajmërohet se, nëse komunat detyrohen të mbajnë në sistem mësimdhënësit që nuk financohen më nga Granti i Arsimit, ato do të detyrohen të reduktojnë investimet kapitale, subvencionet, si dhe shpenzimet për mallra dhe shërbime.
“Një situatë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin lokal dhe në cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Asociacioni thekson se reduktimi i numrit të mësimdhënësve nuk mund të realizohet në mënyrë mekanike, pasi në shumë zona rurale funksionojnë klasa me numër të vogël nxënësish, por që megjithatë duhet të kenë mësimdhënës për të gjitha lëndët sipas obligimeve ligjore dhe kontraktuale.
Po ashtu, AKK vlerëson se një proces i tillë kërkon analiza të detajuara, konsultime dhe një periudhë tranzitore, duke shtuar se komunat dhe vetë Asociacioni nuk janë konsultuar paraprakisht për këtë ndryshim.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës paralajmëron se, me këtë qasje, komunat rrezikojnë të shndërrohen vetëm në institucione administrative që menaxhojnë paga dhe obligime financiare, duke humbur mundësinë për të investuar në zhvillimin lokal dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve./Telegrafi/

