Me një ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame, është pensionuar sekretari i deritanishëm i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Sadriu.
Në këtë ceremoni morën pjesë bashkëpunëtorë, miq dhe familjarë të tij, të cilët vlerësuan kontributin e gjatë të Sadriut në shërbim të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij vlerësoi angazhimin shumëvjeçar të Ahmet ef. Sadriut, duke kujtuar rrugëtimin e tij institucional, që nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, më pas në medresenë “Alauddin” në Prishtinë, e deri në Kryesinë e BIK-ut, ku fillimisht shërbeu si drejtor për Botime dhe Media, ndërsa më vonë si sekretar i përgjithshëm.
Tërnava theksoi se Sadriu u dallua për gatishmërinë, sinqeritetin dhe përkushtimin e tij në punë, duke evokuar edhe kujtime nga bashkëpunimi ndër vite.
Nga ana e tij, Ahmet ef. Sadriu falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe të pranishmit për mbështetjen gjatë viteve të shërbimit, ndërsa u bëri thirrje gjeneratave të reja që ta vazhdojnë këtë mision me përkushtim dhe devotshmëri.
Në përfundim të ceremonisë, myftiu Tërnava, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i ndau Ahmet ef. Sadriut një mirënjohje për kontributin e tij në udhëheqjen, ngritjen dhe avancimin e administratës së Bashkësisë Islame të Kosovës.

