Pse 28 qershori i vitit 1989 tregon shumë për historinë e Kosovës?
1. Para 28 qershorit ishte 26 qershori. I vitit 1989. Atë ditë, në revistën gjermane “Der Spiegel”, doli një intervistë me kritikun letrar nga Kosova, Ibrahim Rugova. Ishte intervista e parë e tij në shtypin perëndimor. Në faqet 159 dhe 160, lideri i ardhshëm historik i Kosovës, me një akribi bindëse, renditi faktet historike, rreziqet që kanoseshin nga shovinizmi në rritje brenda shoqërisë serbe dhe e përfundoi intervistën me një paralajmërim profetik: “Nëse Serbia vazhdon të përpiqet të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje”.
2. Më 28 qershor 1989, në Gazimestan aterroi me helikopter Sllobodan Millosheviqi. Propaganda serbe tha se aty ishin tubuar 2 milionë serbë për të (për)kujtuar Betejën e Fushë Kosovës kundër osmanëve, të zhvilluar 600 vjet më parë. Agjencia e lajmeve Reuters e vlerësoi në 600 mijë numrin e pjesëmarrësve. Burime të tjera pretendojnë se atë ditë në Kosovë u mblodhën 1 milion serbë e serbe. Ata erdhën me trena, me autobusë, me vetura private. Ceremonia nisi me muzikë klasike të Beethovenit, me një kor prej 100 popash dhe me himnin shtetëror. Porosia më brutale nga fjalimi i Millosheviqit ishte kjo: “Gjashtë shekuj më vonë, sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as të tilla ende nuk përjashtohen”.
I çmenduri ishte i sinqertë: i paralajmëroi luftërat kundër popujve të tjerë, luftërat për Serbinë e Madhe. Mbarë udhëheqja serbe e jugosllave ishte e pranishme në Gazimestan. Kryeministri jugosllav Ante Markoviq, një ekonomist i përkrahur nga Perëndimit, por pa mbështetje nga liderët komunistë, kryetari i Kryesisë së Jugosllavisë, Janez Dërnovshek, një slloven që më parë kishte bërë karrierë si diplomat jugosllav, mes tjerash në Kajro të Egjiptit, ministri i Mbrojtjes Velko Kadijeviq, një nga figurat më proruse në udhëheqjen e kohës, ministri i Punëve të Brendshme Petar Graçanin, ministri i Jashtëm Budimir Lonçar, i cili në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” gënjeu se shqiptarët janë ardhacakë në Kosovë.
Morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të rreth 50 vendeve, të akredituar në Jugosllavi. Interesante ishte se kush nuk mori pjesë në këtë orgji nacionaliste serbe: anëtari kroat i Kryesisë jugosllave, Stipe Shuvar, ambasadorët e pothuajse të gjitha vendeve perëndimore, mes tyre edhe ambasadori amerikan Warren Zimmermann – për këtë ai u ndëshkua nga Millosheviqi, i cili refuzoi ta pranonte në audiencë për nëntë muaj.
3. Shënimi i 600-vjetorit të Betejës së Kosovës ishte më shumë një rast për të mobilizuar nacionalizmin serb me mite e legjenda. “Disa javë më parë në Serbi trazimi kombëtar ndihej në çdo hap. Eshtrat e knezit serb Lazar, i cili mbeti i vrarë në Betejën e Kosovës, shëtiteshin nëpër ish-Jugosllavi dhe shërbenin si vende pelegrinazhi. Në Gazimestan, ikonat e Jezu Krishtit, Car Llazarit dhe Sllobodan Millosheviqit shiteshin bashkë”, shkruan historiani britanik Noel Malcolm në librin e tij mbi historinë e Bosnjës. Sa dhe çka dihet për Betejën e Kosovës të vitit 1389?
Ka aq pak burime primare, saqë është e dyshimtë nëse Beteja e Kosovës është zhvilluar fare. Këto fjalë i ka thënë Sima Cirkoviqi, një nga historianët e paktë serbë që janë përpjekur të mbajnë pak distancë profesionale ndaj Betejës së Kosovës. Si në pothuajse asnjë betejë tjetër, te Beteja e Kosovës vërehet fuqia shkatërruese e kujtesës. Ajo përdoret e keqpërdoret nga ideologët serbë për t’u viktimizuar si popull, për ta shfrytëzuar si beton për forcimin e nacionalizmit dhe hegjemonizmit, si dhe për të treguar gjoja superioritet ndaj popujve të tjerë.
Për këtë nuk zgjidhen mjete manipulimi. Çka “dihet” për Betejën e Kosovës është kryesisht prodhim i propagandës së shekullit të 19-të, kur shumë popuj përjetuan zgjimin e tyre kombëtar. Në shekullin e 20-të – me përjashtim të periudhës së sundimit të Josip Broz Titos – miti i Betejës së Kosovës u përdor nga Beogradi për të legjitimuar pushtimet, vrasjet masive, gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet gjithandej në Ballkan. Nga ky këndvështrim, miti serb i Fushë Kosovës është i rëndësishëm, por jo për nga vlerat, por për nga fuqia e tij destruktive.
4. Për fatin e Ballkanit më e rëndësishme dhe më vendimtare është Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448. Asaj i priu hungarezi Janosh Huniadi. Një koalicion katolik kundër një koalicioni islamik. Beteja përfundoi me disfatën e Huniadit. Kjo betejë, shkruan historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, e vulosi fatin e Ballkanit, jo ajo e vitit 1389. Ka supozime, por s’ka dëshmi të bindshme që Skënderbeu ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1448. E dëshmuar, ndërkaq, është se komandantët serbë nuk morën pjesë në luftën e vitit 1448. Ata tashmë ishin shndërruar në vasalë të Perandorisë Osmane, duke i ndihmuar sulltanët të pushtonin Ballkanin.
Që nga shekulli i 19-të, ideologët nacionalë serbë e mashtrojnë botën perëndimore se në Fushë Kosovë e kanë mbrojtur krishterimin dhe Perëndimin. E kundërta është e vërtetë, sidomos sa i përket betejës së vitit 1448. Për ta diskredituar Huniadin, në epikën popullore serbe pretendohet se Huniadi vonë ka arritur në Kosovë (“Kasno Janko na Kosovo stiže”), pra kur erdhi më 1448 tashmë ishte vonë. Gjithsesi, vonë për serbët, të cilët tashmë ishin aranzhuar me rolin e vasalëve të sulltanëve. Konstrukti mitik i Betejës së Kosovës së vitit 1389 e shpalosi krejt fuqinë e mobilizimit politik për aventura të përgjakshme më 28 qershor 1989.
5. Më 26 qershor 1989, Ibrahim Rugova paralajmëroi Perëndimin mbi rrezikun e gjakderdhjes në Ballkan si pasojë e kërcënimeve të nacionalizmit serb. Ditën tjetër, më 27 qershor, ministrat e Jashtëm të Hungarisë dhe Austrisë – Gyula Horn dhe Alois Mock – u takuan afër pikës kufitare Sopron dhe Klingebach dhe prenë simbolikisht telat me gjemba të kufirit midis dy vendeve. Fotografia e tyre hyri në histori si moment i heqjes së Perdes së Hekurt.
6. Revista e pavarur serbe “Vreme”, para disa vitesh, pati botuar një kronologji të ngjarjeve që shënuan vitin 1989 në Jugosllavi. Më 28 shkurt, në Beograd u mbajt një tubim i madh, gjatë të cilit turma kërkoi arrestimin e liderit të atëhershëm partiak të Kosovës, Azem Vllasi. Sllobodan Millosheviqi tha se do të ketë arrestime. Dhe kjo ndodhi. Vllasi u arrestua dhe u nxor para gjyqit në Mitrovicë, ku u zhvillua një proces i montuar politik. Millosheviqi propozoi një hua popullore për rilindjen ekonomike të Serbisë. Nga Italia në Cetinje u transferuan mbetjet mortore të mbretit Nikolla dhe mbretëreshës Milena.
“Vreme” përmend edhe rastin e Boris Muzheviqit, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nga Sllovenia. Muzheviq u keqtrajtua nga polici serb Petko Gavriq për shkak se gjoja s’ishte ndalur me urdhër të policisë dhe s’kishte leje për drejtimin e automjetit. Duhet plotësuar këtu këtë ngjarje me informata shtesë: Gavriq nuk pati asnjë pasojë, ndërsa Muzheviq hyri në historinë sllovene si “i rrahuri i parë” – një shenjë e qartë e eskalimit të situatës nga nacionalizmi serb në rritje. Fakti që një funksionar i lartë slloven i federatës mund të goditej nga një polic serb pa pasoja tregonte se as pozita e lartë nuk të mbronte dhe se institucionet federale kishin filluar të shpërbëheshin. Muzheviq, përkthyes në sllovenisht i teksteve të filozofit marksist italian Antonio Gramsci, vdiq në tetor të vitit të kaluar.
Një ndër episodet më tragjikomike të vitit 1989 ishte “treni i vëllazërim-bashkimit” nga Sllovenia në Serbi. Ndërsa udhëheqja serbe e tensiononte situatën me mitingje nacionaliste anekënd Jugosllavisë, politikani komunist slloven Jozhe Smole organizoi një udhëtim me tren nga Sllovenia në Serbi me qëllim të qetësimit të gjandjes. Në Beograd, Smole vallëzoi me politikanen serbe Radmila Angjellkoviq. Në mediat e kohës ajo, për shkak të stilit të vallëzimit, u quajt “Rada Llambada”. Smole, po aq sa komunist, ishte edhe realist. Trenin e vitit 1989 e përshkroi kështu: “Tren i vëllazërimit po, tren i bashkimit – jo. Jemi tepër të ndryshëm për të qenë bashkë”.
7. Më 1989 vdiq Danilo Kish, njëri nga kritikët më të ashpër të nacionalizmit serb, i cili ishte shpërngulur në Francë. Atëbotë përmendej si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsi. (Përkthyes i veprave të tij në shqip ishte edhe Jusuf Gërvalla). Kish u lind më 1935 në Suboticë; babai ishte hebre hungarez, nëna malazeze. Kish i shpëtoi Holokaustit pasi prindërit e pagëzuan si të krishter në vitin 1939. I ati i tij u ekzekutua në kampin e Auschwitzit. Së bashku me të ëmën dhe të motrën, Kish u vendos në Mal të Zi në vitin 1947 me ndihmën e Kryqit të Kuq.
Pas luftës, Kish studioi letërsi në Beograd (1954-1958) dhe filloi të punonte si përkthyes nga hungarishtja, frëngjishtja dhe rusishtja. Në të njëjtën kohë, ai publikoi poezi, ese dhe tregime të shumta, si dhe romane e vëllime me tregime që nga viti 1962. Romani i tij “Një varr për Boris Davidoviqin”, i botuar në vitin 1976, ndikoi që të shihej me sy të keq nga regjimi. Ishte po ashtu në shënjestër të elitës nacionaliste letrare dhe politike serbe.
Më 1989 basketbollisti Vlade Divac nënshkroi kontratë trevjeçare me Lakers. Në Beograd erdhën për vizitë delegacione nga Afrika, Azia e Amerika Latine për samitin e radhës të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Lideri i Libisë Muamar al-Gadafi i dhuroi një deve Kopshtit Zoologjik të Beogradit. Ishte ndër ngjarjet e pakta humoristike të atij viti. /Telegrafi/

